Mazhoranca vijon hapat për shkarkimin e Presidentit, nesër Komisioni i Ligjeve – A2

Mazhoranca vijon hapat për shkarkimin e Presidentit, nesër Komisioni i Ligjeve

Të mërkurën, mazhoranca nis zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Lajmi u konfirmua për A2 CNN nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Komisioni do të mblidhet të mërkurën në orën 10:00 për të përcaktuar nëse duhet ngritur ose jo një Komision Hetimor për shkeljet e Presidentit Ilir Meta me dekretin për të anuluar zgjedhjet lokale më 30 qershor.

“Nesër në orën 10:00, Komisioni i Ligjeve ka mbledhje me objekt fillimin e shqyrtimit të procedurës për shkarkim të Presidentit. Do të zbatojmë nenin 112 të rregullores”, tha Manja.

Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve

Në rast të krijimit, Komisioni Hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

Në përfundim të hetimit, Komisioni Hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vetëm pasi të mbarojnë të gjithë këto hapa, arrihet në votim në seancë plenare, kur duhet të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. Në fund, vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që mund të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit pas dekretit që anuloi 30 qershorin.

Shkarkoni aplikacionin e A2