Përgjimet e “Bild”, PD: Qeveria veproi si grup kriminal. Rama duhet të dënohet 1-3 vite burg – A2

Përgjimet e “Bild”, PD: Qeveria veproi si grup kriminal. Rama duhet të dënohet 1-3 vite burg

Partia Demokratike ka deklaruar nëpërmjet Gazment Bardhit, Enkelejd Alibeajt dhe Çlirim Gjatës se të gjithë personat e përfshirë në përgjimet e publikuara nga “Bild” duhet të ishin në burg.

“Përgjimet janë radiografia e vjedhjes së zgjedhjeve, vepër për të cilën Edi Rama, Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu etj. duhet të ishin në burg. Durrësi dhe Dibra nuk janë dy krime të shkëputura dhe rastësore. Përgjimet faktojnë se vjedhja e zgjedhjeve është skemë e ngritur nga Edi Rama dhe e ekzekutuar nga bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë vepruar si grup i struktuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtet në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

“Përgjimet tregojnë se vetë Edi Rama duhet të ishte para drejtësisë. Kjo është arsyeja pse Edi Rama e mori nën kontroll të plotë prokurorinë, pasi një prokurori e pavarur do të kishte hetuar këto qindra prova të gatshme dhe do të kishte kërkuar dënimin me burg të Edi Ramës dhe çdo krimineli që ka marrë pjesë në zbatimin e skemës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve. Prej 3 vitesh prokuroria nuk bën asnjë hetim. Për shqiptarët tani është e qartë se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën”, shtoi Bardhi.

Ndërsa Enkelejd Alibeaj theksoi se “përgjimi ku Edi Rama bisedon me Arben Keshin dhe më pas ai jep porositë e paligjshme për votat është shkelje e Kodit Penal 328/a”.

“Kjo vepër dënohet me burg nga 1 në 3 vjet. Rama përdor një drejtor në Ministrinë e Brendshme për votat e partisë së tij. Ky nen është totalisht i konsumuar nga shtetasi Edi Rama dhe shtetasi Arben Keshi”, thotë Alibeaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2