Rreziku i rikthimit të vizave, Rama i përgjigjet Metës: Të shqetësohet për vizën që i ka vënë figurës së Kreut të Shtetit – A2

Rreziku i rikthimit të vizave, Rama i përgjigjet Metës: Të shqetësohet për vizën që i ka vënë figurës së Kreut të Shtetit

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj në Twitter Presidentit Ilir Meta, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për deklaratën e një dite më parë të Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, i cili paralajmëronte për mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërisë në rast se rritej numri i azilkërkuesve.

Meta theksonte: “Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar drejt një vendimi të mundshëm pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Presidenti vëren me shqetësim të thellë rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave Shengen për Shqipërinë. Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”

Pas disa orësh, Rama iu përgjigj Metës duke thënë se ai nuk duhet të shqetësohet për vizat, por për “vizën që i ka vënë figurës së Kreut të Shtetit”.

“Ilir Meta mos shqetësohet për rikthimin e vizave (vizat nuk ka asnjë shans të rikthehen) po të shqetësohet për vizën qe i ka vënë figurës së kreut të shtetit, duke u bërë pjesë e frontit politik kundër zgjedhjeve dhe kundër drejtësisë! Ky front kundër Shqipërisë do dështojë. Me turp”, shkroi kryeministri në rrjetin social.

Shkarkoni aplikacionin e A2