Tensionet SHBA-Iran, Pentagoni: 1000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme – A2

Tensionet SHBA-Iran, Pentagoni: 1000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme

Ushtria amerikane do të dërgojë 1 mijë trupa të tjerë në Lindjen e Mesme mes tensioneve në rritje me Iranin.

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan tha se bëhej fjalë për një kundërpgjigjje ndaj asaj që e quajti sjellje armiqësore të forcave iraniane: “Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një konflikt me Iranin, por një masë e tillë synon të garantojë sigurinë e personelit ushtarak që punon në rajon për mbrotjen e interesave tona kombëtare. Sulmet e fundit të Iranit konfirmuan informacionet e inteligjencës mbi sjelljen armiqësore të forcave të këtij vendi”.

Marina amerikane publikoi gjithashtu imazhe të reja që lidhin Iranin me sulmet kundër cisternave të naftës në Gjirin e Omanit. Atje shfaqen mbetjet e një mine të pashpërthyer pranë një cisterne japoneze. Në imazhe tregohen pjesëtarë të Gardës Revolucionare Iraniane teksa pastrojnë zonën. Shteti Islamik njoftoi të hënën se nuk do t’i përmbahej më një pjese të marrëveshjes bërthamore të 2015-s lidhur me kufizimin e ambicieve nukleare.

Autoritetet e Teheranit thanë se nga 27 qershori do ta shkelnin limitin e pasurimit të uraniumit, të dakordësuar me fuqitë perëndimore. Kina i bëri thirrje palëve të tregohen të përmbajtura dhe iu bashkua nënshkruesve të tjerë të ujdisë bërthamore në thirrjen që Irani të mos e shkelë atë.  

Shkarkoni aplikacionin e A2