Zjarri në KZAZ, Topalli: Kush pengon të drejtën e votës nuk është demokrat

Zjarri i vendosur nga mbështetësit e opozitës në ambientet e një shkolle në Shkodër ku ishte vendosur KZAZ nr.3 për zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk kaloi pa u vënë re nga ish kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Topalli e konsideroi ngjarjen shumë të rëndë që nuk ka ndodhur në historinë e Shkodrës, pasi sipas saj një demokrat nuk djeg shkolla dhe nuk hedh molotovë.

Ish nënkryetarja e PD shkon dhe më tej me thirrje të drejtpërdrejta, ndaj atyre që ajo quan demokratë të vërtetë, për të mos penguar të drejtën e votës, pasi 3 milionë shqiptarë nuk mund të mbahen peng nga 4-5 persona.

Postimi i plotë i Jozefina Topallit në Facebook.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës.

E kundërta është historia e këtij qyteti.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada.
Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë patur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat.
Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu.
Ai që mendon se do pengojë të drejtën e votës nuk është demokrat.
Shqiptarët duan paqe.
3 milionë shqiptarë nuk mund të mbeten gjatë peng të 4-5 vetëve.”

Shkarkoni aplikacionin e A2