Bllokohen KZAZ-të. Përplasje e demokratëve me policinë në bashkitë e opozitës

Vijojnë përplasjet mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe uniformave blu. Ditën e sotme, në bashkitë Kamëz, Burrel, Kukës, Skrapar, Pogradec, Bilisht e Devoll konfrontimet kanë qenë të forta, duke shkaktuar dhe të plagosur.

Të drejtuar nga të zgjedhurit përfaqësues të opozitës, këto bashki kërkojnë lirimin e ambienteve në të cilat janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ). Prezenca e forcave blu ka qenë e shtuar në këto bashki, ku në disa prej tyre shkuan edhe Forcat Speciale.

Gaz lotsjellës nga policia dhe sende të forta në duar nga qytetarët ishte panorama në këto bashki ditën e sotme.

Tensione dhe përplasje shoqëruan KZAZ-në e Bashkisë së Kamzës, e cila ashtu si disa bashki të tjera opozitare, ka vendosur të zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të anuluar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve lokale. Qytetarët tentuan të hapin me forcë derën kryesore të godinës, ku ndodhen materialet zgjedhore. Për pasojë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe Forcat Speciale, që sipas protestuesve kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Të forta ishin përplasjet dhe në Burrel, ku gjithashtu qytetarët kërkuan lirimin e ambienteve të KZAZ. Qytetarët me shkopinj dhe sende të tjera të forta u konfrontuan me forcat e policisë. Mësohet se ka pasur të plagosur si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e policisë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit.

Policia nuk lejoi përfaqësuesit e dërguar nga Bashkia e Skraparit për tërheqjen e materialeve zgjedhore në KZAZ-në e vendosur në shtëpinë e kulturës. Ndërsa mbështetësit e opozitës kërkuan që të hynin me forcë në këto ambiente, duke shkallmuar derën. Nuk munguan përplasjet mes uniformave blu dhe qytetarëve.

Edhe në bashkitë e Qarkut Korçë të drejtuara nga përfaqësuesit e opozitës, pati situata konfliktuale. Në bashkitë e Pogradecit dhe Devollit, qytetarët çanë rrethimin e policisë e cila mbronte godinat ku ishin ngritur KZAZ, duke u përplasur mes tyre. 

Shkarkoni aplikacionin e A2