Bumçi: Çfarë zgjedhjesh mund të ketë pas përgjimeve të publikuara?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi në “Ditari” në A2 CNN se nuk mund të ketë zgjedhje pas audio-përgjimeve të publikuara nga “Bild”.

“Çfarë zgjedhjesh mund të ketë më pas përgjimeve të publikuara? Kur ka dalë që qeveria është njësh me krimin e organizuar dhe policia merret me blerje dhe kërcënim votuesish, nuk mund të ketë më zgjedhje. Nëse do të ishte kryeministër Sali Berisha sot dhe të dilnin këto përgjime për Sali Berishën, çfarë do të kishte bërë Edi Rama? Këtë përgjigje ta japin vetë qytetarët. Unë po them që Kryeministria do të ishte djegur, por ne jemi të përgjegjshëm dhe nuk i hedhim benzinë zjarrit”, theksoi Bumçi.

Ish-deputeti përsëriti se “30 qershori ka rënë, është një datë si çdo datë tjetër”.

“Vetëm gjykata e rrëzon dekretin e Presidentit, jo KQZ-ja”, shtoi Bumçi.

Në lidhje me shtyrjen e vendimit për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në tetor, Bumçi tha se nuk është aspak i habitur.

“Pritej, është një lajm i keq, por që dihet. Po hyjmë në vitin e gjashtë që nuk hapim dot negociatat dhe ky dështim vjen për shkak të mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës. Vjet tha se u hapën negociatat, hapi shampanjën, por pas një viti nuk ka negociata. Është qesharak, por koston e paguajnë shqiptarët”, deklaroi Bumçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2