Dëmtuan materialet zgjedhore, 7 të arrestuar në Tropojë

7 persona janë arrestuar nga Policia në Bajram Curri, pasi një ditë më parë kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ Nr. 09, në Bashkinë Tropojë, tek Muzeu Historik.

Në pranga kanë përfunduar:

-A.G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë,  për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.

-A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Një ditë më parë, punonjës të Policisë Bashkiake të Tropojës dhe mbështetës të Partisë Demokratike kanë thyer me forcë derën e KZAZ-së nr.9, e cila ishte vendosur në ambientet e muzeut të qytetit.

Ky veprim erdhi pas disa shkresave që bashkia i kishte dërguar anëtarëve të KZAZ-së për të liruar ambientet dhe për të dorëzuar materialet në bashki, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës që ka zhdekretuar datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Gjatë mësymjes, pati përplasje fizike me forcat e policisë. Materialet e kutive të votimit janë hedhur, ndërsa kompjuterat janë dërguar në ambientet e bashkisë.

Pas Shkodrës, Tropoja është qyteti i dytë ku bashkia përplaset me policinë për lirimin e ambienteve të KZAZ-ve.  

Shkarkoni aplikacionin e A2