Gogu: Basha nuk është Martin Luther King, qytetarët ta ndëshkojnë PS-në duke mos e votuar

Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ishte i ftuar në “Dita jonë” në A2CNN për të folur rreth situatës së tensionuar që është krijuar në prag të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Gogu tha se sfida e shqiptarëve është të respektojnë ligjin ndaj duhet të ndahemi me pandëshkueshmërinë. “Politika po i përdor njerëzit si mjete në vend që ajo të shërbejë si mjet për përmirësimin e jetëve të njerëzve. Lulzim Basha nuk është Martin Luther King dhe Monika Kryemadhi nuk është Elizabeth Cady Stanton që luftonte për votën e grave amerikane. Këta janë njerëz që nuk besojnë te vota, shiko sesi zgjidhen në partitë e tyre”, deklaroi zëvendësministri.

Sipas tij, indinjata e qytetarëve me përgjimet e zbuluara n media, është e përligjur, por kjo nuk mund të çojë tek mohimi i votës si e drejtë qytetare.

Qëndrimi i z. Gogu ndaj zhgënjimit të qytetarëve me mënyrën sesi PS organizon fushatat elektorale dhe kërcënimeve për vendin e punës ai ju përgjigj se qytetarët janë të lirë të mos votojnë për Partinë Socialiste, duke e mbajtur qëndrimin e tyre kundër me votë, por zgjedhjet duhet gjithsesi të mbahen.

Zëvendësministri foli edhe për përgjimet e publikuara nga “Bild”, duke u shprehur se “nëse qytetarët mendojnë se kjo që ka ndodhur nuk i përfaqëson ata, le të mos e japin votën për Partinë Socialiste në 30 qershor”.

“Partia Socialiste ka treguar se kur ligji përballet me të, ka tërhequr çdo lloj mburoje. Duroni për të pritur reagimin e PS-së. Nëse qytetarët mendojnë se kjo që ka ndodhur nuk i përfaqëson ata, le të mos e japin votën për PS-në. Ama, duhet të përdorim rregullat e lojës, nuk mund të ndryshohen në mes të lojës”, deklaroi zv/ministri.

Më tej, Gogu theksoi se nuk mund të përgjohet një vepër penale si shitblerja e votave. “Shitblerja e votave, sipas Kodit Penal, ka një dënim deri në 5 vjet. Ndërkohë, përgjimet fillojnë për veprat penale nga 7 vite e sipër. Përgjimet kanë ardhur se po përgjohej një grup kriminal narkotrafikantësh. Veprat penale për të cilat mund të përgjohesh janë kur falsifikon dokumentet e zgjedhjeve ose kur pengon votuesit të shkosh të votojnë. Nuk mund të marrësh disa elemente teknikë të një hetimi, ta nxjerrësh nga konteksti dhe të përpiqesh të djegësh vendin për shkak të kësaj gjëje”, deklaroi Gogu.

Shkarkoni aplikacionin e A2