Krerët e bashkive opozitare, padi ndaj anëtarëve të KZAZ dhe Policisë – A2

Krerët e bashkive opozitare, padi ndaj anëtarëve të KZAZ dhe Policisë

Kryetarët e Bashkive të opozitës, ku gjatë ditës së mërkurë u shënuan incidente në ambientet ku ishin vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, kanë bërë një kallëzim penal ndaj anëtarëve të këtyre KZAZ-ve dhe Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre dhe kundërshtim të punonjësve që kryejnë një detyrë shtetërore.

Drejtuesit e bashkive që drejtohen nga opozita përmes një deklaratë të përbashkët sqarojnë se pas anulimit të datës së zgjedhjeve nga presidenti kanë kërkuar lirimin e ambienteve që janë në pronë të tyre.

“Policia e Shtetit nuk mund të administrojë pronat e bashkive. Sipas ligjit, këtë e bën Policia Bashkiake. Policia e Shtetit e ka të ndaluar të hyjë në pronat e bashkisë, pa një kërkesë nga Kryetari i Bashkisë. Në përputhje të plotë me ligjin dhe me qëllim shmangien e tensioneve të panevojshme, njësitë e qeverisjes vendore kanë njoftuar disa ditë më parë KZAZ-të për lirimin e ambienteve, si dhe kanë njoftuar Policinë e Shtetit për mbështetje.  Në kundërshtim flagrant me ligjin, anëtarët e KZAZ-ve dhe punonjës të Policisë së Shtetit kanë kundërshtuar zbatimin e ligjit, duke kryer veprime arbitrare dhe të paligjshme, si dhe duke ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake në krye të detyrës”, shkruhet në deklaratën e krerëve të bashkive opozitare.

Shkarkoni aplikacionin e A2