Përplasjet në KZAZ, Rama: Përpjekje të dëshpëruara – A2

Përplasjet në KZAZ, Rama: Përpjekje të dëshpëruara

Sulmet ndaj KZAZ-ve në bashkitë e drejtuar nga opozita, Kryeministri Rama i cilësoi përpjekje të dëshpëruara, duke paralajmëruar se do të ketë edhe të tjera. “Ajo e Shkodrës ishte e tmerrshme. Është e gjitha një përpjekje e dëshpëruar, nuk kanë asnjë mundësi të bëjnë më shumë se nuk kanë popullin me vete”, tha Kryeministri.

Sipas tij, qëllimi i opozitës nuk është thjeshtë bllokimi i zgjedhjeve. “Është për fotografi, për t’u çuar jashtë, për të mos u hapur negociatat sepse po u hapën negociatat do vijnë kapitujt e drejtësisë”.

Rama akuzoi drejtuesit e opozitës se po përdorin qytetarët si mish për top. Si shembull mori ish-deputetin demokrat të Shkodrës, Bardh Spahia. “Ky trimi, doktori i vogël i Shkodrës është në kërkim. Të tjerët janë në qeli”. Kreu i Qeverisë shpjegoi përse sipas tij janë të kota përpjekjet për të prishur zgjedhjet. “Zgjedhjet, edhe sikur do prishen këtu apo atje, në kushtet ku nuk ka kundërshtar, mjafton një kuti dhe mbaron. Është një gjë e kotë”.

Në lidhje me përgjimet e fundit të publikuar nga Bild, Rama tha se ato duhej të ishin hetuar dhe kush ishte përgjegjës të shkonte para drejtësisë. “Ato biseda i bëj prapë dhe s’kam asnjë… janë për fushatë, për objektivat, prandaj i mundim ata se jemi të organizuar. Historia atje ishte që Flamur Noka me ca rrugaçë atje shkonte të rrihte njerëz”.

Kriminelët që PD përmend me emra, kjo Qeveri i ka futur në burg, tha Rama, ndërsa shtoi se me ndryshimet e reja në Kodin Penal, kush kryen krime elektorale nuk do të lejohet të dalë nga vendi për 5 deri në 10 vjet.

Shkarkoni aplikacionin e A2