Përplasjet nëpër KZAZ, Manastirliu: Ata protestues nuk përfaqësojnë popullin

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 CNN se personat që janë përplasur me policinë në disa qendra KZAZ-je “nuk përfaqësojnë popullin, por janë militantë të Partisë Demokratike dhe administratë e bashkive të djathta”.

“Janë njerëz që po keqpërdoren. Janë të keqpërdorur dhe po dëmtojnë një proces zgjedhor, që po monitorohet nga KQZ-ja. Ata që prekin procesin zgjedhor do të përballen me ligjin”, theksoi ministrja.

Në lidhje me zhdekretimin e datës 30 qershor si datë e zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Republikës, Manastirliu theksoi se “Presidenti nuk mund të marrë një akt që cenon të drejtën e popullit për të zgjedhur dhe prandaj ne kemi depozituar kërkesën për të nisur procedurat për shkarkimin e tij, duke filluar me ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor”.

“Neve na ka zgjedhur populli në Parlament dhe jemi aty për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet. Jemi përpara një akti të pavlefshëm dhe do t’i shkojmë të gjitha hapave të procesit. Ata nuk duan të bëjnë zgjedhje sepse e dinë që do të humbasin. Ata kanë frikë hapjen e negociatave sepse kanë frikë nga reforma në drejtësi”, shtoi Manastirliu.

Shkarkoni aplikacionin e A2