Raporti i UNHCR, 70 milionë të shpërngulur nga luftërat në botë – A2

Raporti i UNHCR, 70 milionë të shpërngulur nga luftërat në botë

Numri i të shpërngulurve nga luftërat, përndjekjet dhe konfliktet në botë, i tejkaloi 70 milionët vitin e kaluar. Sipas raportit vjetor të agjencisë së OKB për refugjatët, UNHCR, bëhet fjalë për nivelin më të lartë të regjistruar në 70 vite. Aktualisht 70,8 milionë njerëz janë në arrati, 2,3 milionë më shumë se një vit më herët dhe dyfishi i nivelit të 20 viteve më parë.

“Edhe një herë, tendencat globale shkojnë në drejtimin e gabuar. Disa miliona njerëz u shtohen statistikave dramatike të vitit të kaluar. Një vit më parë ne raportuam rreth 68,5 milionë njerëz, refugjatë e të shpërngulur, që do të thotë refugjatë në vendet e gabuara e azilkërkues. Këtë vit shifra arrin në gati 71 milionë”, tha Filippo Grandi, Komisioner i OKB për Refugjatët

Sipas OKB, shifra reale për vitin 2018, ka gjasë te jetë edhe më e lartë pasi numri i të shpërngulurve nga kriza në Venezuelë reflektohet vetëm pjesërisht në statistika. Rreth 4 milionë venezuelas janë larguar nga vendi sipas të dhënave të ofruara nga shtetet që i kanë pranuar, duke e bërë këtë krizën më të madhe të shpërnguljes aktualisht në botë.

Raporti identifikon 3 grupe kryesore. Të parët janë refugjatët ose personat e detyruar të largohen nga vendet e tyre për shkak të konflikteve, luftërave, apo përndjekjeve. Në vitin 2018 numri i refugjatëve arriti në 25,9 milionë. Grupi i dytë janë azilkërkuesit, me rreth 3,5 milionë. Të tretët janë personat e shpërngulur brenda vendit, që arrijnë në 41,3 milion në rang global. Mbi 2/3 e të gjithë refugjatëve janë nga Siria, Afganistani, Sudani i Jugut, Mianmari dhe Somalia.

Shkarkoni aplikacionin e A2