Sekuestrohet mbi 1 miliardë dollarë kokainë në SHBA, do të mbërrinte në Europë

FBI ka sekuestruar 16,5 ton kokainë në Filadelfia, e cila në treg kapte vlerën e mbi 1 miliardë dollarëve. Sipas zyrtarëve amerikanë, e gjithë sasia kishte si adresë përfundimtare Europën.

Droga u kap të martën në portin e mallrave, brenda anijes liberiane MSC Gayane, e cila kishte mbërritur të hënën nga Kolumbia, pasi kishte ndaluar më parë në Peru, Panama dhe Bahamas. Të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit u arrestuan dhe ndaj tyre janë ngritur akuza për krime federale nga prokurorët. Kjo është një prej sasive më të madhe të drogës të kapura ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1989, 21 tonë kokainë u sekuestruan në një magazinë në Kaliforni. “Kjo sasi droge mund të vrasë miliona vetë”, shkroi në Twitter prokurori i çështjes, William McSwain.

Në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara kapjen e sasive të mëdha të drogës janë bërë të shpeshta. Në mars, po në Filadelfia, rreth 600 kilogramë kokainë, me vlerë 38 milionë dollarë, u kapën nga qentë e policisë. Në shkurt, rreth 1600 kilogramë kokainë u kapën në Nju Jork, me vlerë tregu 77 milionë dollarë.

Sipas ekspertëve të sigurisë në SHBA, sasia në rritje e kokainës vjen për shkak të uljes së vëmendjes nga autoritetet kolumbiane në vitet e fundit dhe lulëzimit të kultivimit në vendin amerikano-jugor. Gjithashtu konsumatorët po kërkojnë gjithnjë e më tepër një përzierjeje të re mes kokainës dhe fetanilit, një përzierje që ishte përgjegjëse 30% të vdekjeve nga përdorimi i drogës në Filadelfia, në vitin 2017.

Shkarkoni aplikacionin e A2