Shkarkimi i Presidentit, Balla: Ka marrë atributet e Kuvendit, Gjoni: Shtyjeni për pas zgjedhjeve

Shumica ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Këtë të mërkurë paradite, në komisionin e ligjeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka parashtruar argumentet e palës që ka ndërmarrë edhe nismën në fjalë. Ndërsa përfaqësuesi i Presidentit të Republikës nuk ishte i pranishëm në sallë. “Presidenti ka marrë atributet e Kuvendit dhe sovranit, duke anuluar datën e zgjedhjeve e duke mos caktuar një datë të re”, tha Balla.

Nisma u kundërshtua nga deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, i cili erdhi në Parlament si pjesë e listave shumëemërore nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Nuk e di nëse keni shkarkuar ndonjëherë President. Keni sjellë këtu një nismë të thjeshtë ligjore”, u shpreh Gjoni. “I thërras arsyes tuaj politike. Vendi po shkon drejt një kaosi të panevojshëm. Brenda 7 ditëve, Presidenti anulon datën, nuk hapen negociatat, Parlamenti bën karshillëk dhe shkarkon Presidentin. Një kalendar kaq i shpejtë është i nxituar. Brenda datës 26 qershor, ju do të çoni raportin në seance plenare. Shtyjeni pas zgjedhjeve”.

Komisioni do të vendosë me shumë mundësi për të ngritur një Komision Hetimor për shkeljet e Presidentit Meta me dekretin për të anuluar zgjedhjet lokale më 30 qershor. Në rast të krijimit, Komisioni Hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

Në përfundim të hetimit, Komisioni Hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vetëm pasi të mbarojnë të gjithë këto hapa, arrihet në votim në seancë plenare, kur duhet të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. Në fund, vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që mund të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit pas dekretit që anuloi 30 qershorin.

Shkarkoni aplikacionin e A2