Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Shqiptarët i vaksinojnë fëmijët, por janë mosbesues

Nga A2 CNN
19 Qershor 2019, 15:25 | Sociale

Mosbesimi publik ndaj vaksinave do të thotë se bota po ndërmerr një hap pas në luftën kundër sëmundjeve infektive vdekjeprurëse, të cilat mund të parandalohen. Paralajmërimi vjen nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës, që kanë kryer studimin më të madh global, i cili tregon se ka besueshmëri të ulët në disa rajone. Analiza përfshin përgjigje nga mbi 140 mijë njerëz në 140 shtete të ndryshme.

“Ngurrimi i vaksinimit ka një potencial, të paktën në disa vende, që të pengojë progresin real që bota ka bërë në kontrollin e sëmundjeve të parandalueshme. Çdo rigjallërim i këtyre sëmundjeve është një hap i papranueshëm prapa”, tha Ann Lindstrand, eksperte imunizimi në OBSH.

Sa i përket Shqipërisë, situata mund të konsiderohet pozitive: 63% e qytetarëve mendojnë se vaksinimi është i sigurt, ndërsa 13% besojnë të kundërtën. Krahasuar me shtetet e Europës Jugore, vendi ynë ka një nivel më të ulët besueshmërie. Ndërsa kur vjen puna te fëmijët, shqiptarët janë më të ndjeshëm pasi 96% e të anketuarve mendojnë se vaksinimi i tyre është i rëndësishëm. Shqiptarët janë mosbesues edhe për shkencën: vetëm 10% e të anketuarve kanë besueshmëri të lartë, 46% besueshmëritë mesme dhe 39 të ulët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë liston hezitimin e vaksinimit si një ndër 10 kërcënimet për shëndetin botëror. Studimi zbuloi se shtetet më të pasura kanë besim të ulët tek vaksinimi. Një ndër sëmundjet infektive që parandalon vaksinimi është fruthi, që kohëve të fundit ka gjetur një shpërndarje të gjerë në botë. Ndërkaq, rajoni që i beson me tepër vaksinimit është Azia Jugore, ndërsa Europa Lindore kryeson listën për mosbesim.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani