Trump nis fushatën: Ëndrra amerikane është rikthyer

Ëndrra amerikane është kthyer dhe është më e fortë se më parë. Me këto fjalë e nisi fushatën për zgjedhjet e 2020-tës,  presidentin amerikan Donald Trump.

Përpara mijëra mbështetësve në Florida, ai kërkoi një mandate të ri 4 vjeçar për skuadrën e tij  duke e vënë theksin tek ekonomia e fortë. 

 “Ekonominë tonë e ka zili e gjithë bota. Është ndoshta momenti më i mirë ekonomik në të gjithë historinë e vendit. E për sa kohë do të mbështesni këtë skuadër, e ardhmja do të jetë brilante”, deklaroi Trump.  

Presidenti republikan e cilësoi Floridën si shtëpinë e tij të dytë dhe nuk humbi rastin të sulmonte demokratët, që sipas tij po përpiqen ta përçajnë vendin. Sondazhet paraprake sugjerojnë se Trump renditet pas disa prej kandidatëve  demokratë.

Familja e presidentit e pranishme në Florida

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri të qartë se do të rikandidonte si i jashtëm, ashtu siç kishte bërë edhe në 2016-tën. Trump iu rikthye temave të fushatës së 4 viteve më parë, duke sulmuar emigracionin e paligjshëm, mediat dhe ish rivalen Hilary Klinton.

Duke iu referuar skandalit te emaileve, Trump tha se nëse ai do të fshinte një email dashurie të Melanias, do të kërkonin karrigen elektrike për të. Nuk la pa përmendur edhe të ashtuquajturën Russiagate, duke thënë se pas dy vitesh përndjekje kishte fituar.

Eksponentë të lartë të partisë, përfshirë, zv. presidenti Mike Pence dhe zëdhënësja në largim Sarah Sanders, folën gjithashtu në tubim. Florida konsiderohet një prej fushë betejave kryesore, ku Trump fitoi bindshëm në 2016-tën.

Sanders sulmon Trump: President racist që përçan popullin amerikan

Por për kandidatin demokrat Bernie Sanders, fjalimi i Donald Trump ishte i mbushur më gënjeshtra. Përmes një deklarate të postuar në internet, Sanders sulmoi ashpër presidentin amerikan duke e quajtur atë racist dhe homofob.

Bernie Sanders

“Një orë e gjysmë fjalim i mbushur me gënjeshtra, shtrembërime, totalisht gjepura. Ne kemi një president racist, seksist, homofob, ksenofob dhe aspak tolerant ndaj besime të tjera fetare. Strategjia e tij për të rifituar një mandate të dytë është duke përçarë popullin amerikan bazuar në ngjyrën e lëkurës, vendit të lindjes, fesë dhe orientimit seksual. Detyra jonë është të mos e lejojmë atë ta bëjë”, tha Sanders.

Shkarkoni aplikacionin e A2