Vrasja e Khashoggit, ekspertja e OKB: Kemi prova, princi saudit duhet të hetohet – A2

Vrasja e Khashoggit, ekspertja e OKB: Kemi prova, princi saudit duhet të hetohet

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë janë përgjegjës për vrasjen e Jamal Khashoggit dhe për këtë ka prova të besueshme. Kështu të paktën rezulton në një raport të raportueses speciale të Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, e cila kërkon zhvillimin e një hetimi ndërkombëtar të pavarur dhe të paanshëm për rastin në fjalë. Në raport thuhet se bashkëpunëtori i “Washington Post” ishte viktimë e një ekzekutimi të paramenduar.

“Falë provave të mbledhura nga hetimi ndërkombëtar, lidhur me përgjegjësinë e Princit të Kurorës, është një hap logjik mendoj, të kërkojmë përfshirjen e tij në sanksione derisa të provohet e kundërta, që ai nuk ishte në dijeni të ekzekutimit”, shprehet raportuesja speciale e OKB.

Gazetari Khashoggi u vra në tetor të 2018-s brenda konsullatës saudite në Stamboll nga agjentët sekretë të Riadit. Autoritetet saudite këmbëngulin se nuk vepruan me urdhër të Princit Mohammed. Mbretëria vendosi 11 persona të paidentifikuar nën akuzë, në një gjyq me dyer të mbyllura për vrasjen e Khashoggit dhe kërkon dënim me vdekje për 5 prej tyre.

Zyrtarja e OKB-së tha se gjyqi dështoi në përmbushjen e procedurave dhe standardeve ndërkombëtare dhe bëri thirrje për pezullimin e tij. Ndërkohë, Arabia Saudite nuk ka reaguar ende për raportin prej 100 faqesh që iu dërgua përpara publikimit. Mbretëria ka mohuar rregullisht akuzat ndaj përfshirjes së Princit në këtë ekzekutim. 

Shkarkoni aplikacionin e A2