A mund të urdhërojë Presidenti ushtrinë të dalë në rrugë? Xhaçka e sqaron…

Presidenti është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, madje Ilir Meta në më shumë se një rast e ka përsëritur këtë. Por në këtë përplasje institucionale dhe të interpretimeve që i bëhet Kushtetutës, a ekziston sadopak rreziku që të shkojmë në një përballje hipotetike ushtri-polici?

Përgjigje kësaj pyetje i dha ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos.

Ministrja u shpreh se kjo gjë nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë dhe Presidenti nuk e ka këtë mundësi në kohë paqeje.

“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka.

Shkarkoni aplikacionin e A2