Nis epoka ‘Sarri’: Objektiv Champions, me Ronaldon për rekorde – A2

Nis epoka ‘Sarri’: Objektiv Champions, me Ronaldon për rekorde

Maurizio Sarri foli për herë të parë si trajner i bardhezinjve të Juventus. Në daljen përpara mediave, ish- tekniku i Napolit dhe Chelsea vlerësoi ‘Zonjën e Vjetër’ si skuadra më e rëndësishme në Itali, ndërsa rrëfeu gjithçka që nga ndjenja e tradhtisë, deri tek objektivi Champions. 

“Për tre vite me radhë tek Napoli jam zgjuar duke menduar se si të mund Juventusin. Kam dhënë 110 për qind dhe nuk ia dolëm. Ky është respekti që kam për shoqërinë napoletane. Do ta provoja sërish. Është një luftë sportive, por tashmë ka marrë fund. Unë jam një profesionist dhe këto janë zgjedhje logjike, ku nuk ka vend për romanticitet. Është një emocion i fortë të jesh pjesë e Juventusit. Është e qartë që Juve niset kudo për të fituar. Championsi është objektivi ynë, një ëndërr me një koeficient vështirësie të jashtëzakonshme”, deklaroi tekniku i ri i Juventusit.

Sarri nuk nguron të tregojë kënaqësinë e të pasurit mundësinë për të stërvitur një futbollisti si Cristiano Ronaldo. “Në vitet e fundit kam stërvitur lojtarë të mëdhenj, sidomos tek Chelsea. Tek Juventus do të mund të stërvis yje botërorë. Ronaldo është një futbollist që ka thuajse çdo rekord futbollistik. Do të më pëlqente të bëja të mundte të tjerët, por edhe të fitonte më shumë tituj me mua”, shtoi Sarri.

Menjëherë pas prezantimit trajneri Italian do të udhëtojë drejt Greqisë për t’u takuar me portugezin për të projektuar së bashku Juventusin e tij të ri. 

Shkarkoni aplikacionin e A2