Audiopërgjimet e reja të publikuara nga “Bild” fokusohen edhe tek figura e Robert Agës, i cili gjatë zgjedhjeve mbante detyrën e Shefit të Policisë së Dibrës.
“Messi i Partisë
Socialiste” në këtë qark, siç e quan ai veten, kishte rënë dakord të siguronte
mbi 1000 vota në këmbim të transferimit të tij në postin e Shefit të Policisë
së Bulqizës, një qytezë, sipas “Bild”, e pasur me miniera kromi dhe e
kontrolluar nga grupe kriminale.
Përgjimet e lidhin atë me figura të njohura të
Partisë Socialiste si Xhemal Qefalia dhe Ulsi Manja, ndërsa e përgëzojnë për
suksesin e arritur edhe ish-ministrat Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri.
Në një bisedë me Manjën, ky i fundit shprehet se
së bashku me kryeministrin Edi Rama duhet t’i jepnin një tjetër post më të
lartë, në vend të transferimit në Bulqizë.
Aga u transferua më pas në një pozicion më të
lartë në Tiranë, ndërsa pozicioni i shefit të Policisë në Dibër i takoi Arben
Keshit.
Gjatë periudhës së zgjedhjeve, opozita e kishte akuzuar shpesh Agën në media dhe në prokurori për rolin e tij në procesin e blerjes së votave, duke i shoqëruar kriminelët me makina policie.