PS-ja miting, opozita protestë në të njëjtën orë; Mobilizohet policia në Shkodër – A2

PS-ja miting, opozita protestë në të njëjtën orë; Mobilizohet policia në Shkodër

Sot, në orën 18:30, në pedonalen e Shkodrës, Partia Socialiste ka njoftuar një “miting madhështor”, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Por, Bashkia e Shkodrës nuk e ka miratuar kërkesën e Partisë Socialiste për zhvillimin e mitingut. Në përgjigjen kthyer PS-së, Bashkia Shkodër argumenton se duke u bazuar në dekretin e Presidentit zgjedhje nuk do të ketë dhe shton se me nisjen e sezonit turistik, “janë duke u realizuar në të gjitha sheshet e bashkisë aktivitete promovuese për turizmin dhe nuk ka asnjë shesh të lirë për organizim takimesh”.

Pas këtij njoftimi, dega lokale e Partisë Demokratike të rrethit të Shkodrës ka bërë thirrje për një protestë pasditen e kësaj të enjteje në rrugët e qytetit. Ish-deputetja Izmira Ulqinaku e ka motivuar këtë kërkesë me represionin policor të udhëhequr nga kryeministri i vendit, Edi Rama, që, sipas saj, ka mbërthyer Shkodrën këto ditë. Ora e protestës së PD-së në Shkodër është në të njëjtën orë me takimin e planifikuar edhe nga kryeministri Edi Rama në këtë qytet.

Mitingu i kryeministrit Edi Rama dhe marshimi i opozitës ka vënë në gadishmëri Policinë e Shkodrës. Burime pranë policisë bëjnë me dije se nga strukturat e saj janë marrë masat e nevojshme për situatën që mund të krijohet dhe për këtë janë angazhuar nga të gjitha strukturat e policisë rreth 200 forca të drejtorisë vendore dhe FNSH-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2