Rama në Shkodër, mitingu brenda rrethimit të Forcave Speciale – A2

Rama në Shkodër, mitingu brenda rrethimit të Forcave Speciale

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur pasditen e së mërkurës një takim elektoral në qytetin e Shkodrës për zgjedhjet e 30 qershorit. Përgjatë ditës e gjithë situatë në qytetin verior ka qenë e tensionuar për shkak se dhe dega lokale e Partisë Demokratike kishte paralajmëruar një protestë marshim shumë pranë vendit ku do të mbahej aktiviteti i paralajmëruar nga mazhoranca.

Para fillimit të takimit elektoral të PS ka pasur përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe forcave të policisë të cilët tentuan të kalonin kordonin. Policia iu kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës. Për të shmangur përplasjet mes palëve ishin angazhuar rreth 200 efektivë policie dhe të FNSH

Mbështetësit e opozitës drejtoheshin nga ish deputeti Flamur Noka dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi e cila në mëngjes i kishte mohuar lejen PS të organizonte takimin elektoral me preteksin se po zbatonte dekretin e presidentit.

20:40 – Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi e ka mbyllur mitingut e mbështetësve të opozitës pranë Pedonales dhe iu ka kërkuar të pranishmëve që t’i bashkohen protestës së nesërme të opozitës së bashkuar në Tiranë në orën 20:00.

Kryebashkiakja Ademi dhe mbështetësit e saj kanë lëshuar sërish thirrje për lirimin nga ambientet e komisariatit të ish deputetit Bardh Spahia.

20:32 – Kryeministri Edi Rama ndërpret në mes fjalimin e tij në Shkodër për shkak të ezanit.

20:22 – Protestës së opozitës në Shkodër i është bashkuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ndërsa Kryeministri Rama vijon fjalën e tij në takimin elektoral

20:08 – Rama: Shkodra, sfida ime personale në katër vitet e ardhshme

Pavarësisht protestës së opozitës, PS po mban mitingun në Shkodër, ku mbërriti dhe Kryeministri Rama. Ai u shpreh se Shkodra do të jetë sfida e tij personale e katër viteve të ardhshëm.

“Valdrini do të jetë një kryetar bashkie që do të nisë të shkruar një kapitull të ri për Shkodrën. Dua t’iu them diçka, të gjithëve, jo vetëm juve që jeni këtu: Katër vjet më parë ju thash vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo që e sheh Vlorën e sot, krahasuar me 4 vjet më parë, e ka të vështirë ta njoh. Sot u them shkodranëve, se Shkodra e katër viteve të ardhshme është edhe sfida ime.

Ata që kanë dalë në rrugë të madhe nuk dinë më se çfarë të ofrojnë tjetër veç kërcënimeve, molotovëve dhe kaosit. Më vjen keq që nuk na u dha mundësia që drejtuesit, kjo këtu është drejtuese, e cila është më e paafta që është ulur ndonjëherë në karrigen e një kryetari bashkie, t’i jepnim përgjigje me votë. Por ata kapitulluan para fillimit të betejës zgjedhore, pasi plani i tyre nuk ka lidhje me të ardhmen. Plani i tyre është plani i katër njerëzve me drejtësinë që po vjen dhe të gjithë ata që i ndjekin nga pas pa e ditur se ku po shkojnë dhe as se ku të nxjerr kjo rrugë qorre”, tha Rama.

19:54 – Bushati hap mitingun: Koha që Shkodra të ecë përpara

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati hapi takimin elektoral të Partisë Socialiste në Shkodër. Ai u shpreh që ka ardhur koha që Shkodra të përqafojë zhvillimin dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve të saj.

“Shkodra ka ardhur koha të përqafojë të ardhmen, të përqafojë zhvillimin. Duam një Shkodër që duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve të saj, një Shkodër që i bën bashkë të gjithë njerëzit,

një Shkodër që duhet të ndërtojë ura dhe jo mure ndarëse, një Shkodër që nuk përbën më lajm kur një grup njerëzish tentojnë të djegin një shkollë”.

19:48 – Edi Rama mbërrin në mitingun në Shkodër

Rama në Vaun e Dejës: Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve, opozita po vepron si talebanët

Udhëheqja e PD ka vendosur të kapitullojë para se fillojë beteja zgjedhore. Sot që flasim, kjo ndodh në Shqipëri dhe Afganistan me talebanët.

19:38 – Ademi: Më 1 korrik ose të gjithë në burg, ose një eksod i dytë

Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, u shpreh se qytetarët askush nuk mund t’i ndalojë.

“Në rrugët e qytetit të Shkodrës askush nuk mund t’i ndalojë qytetarët e Shkodrës. Ne nuk lejojmë që banda të sundojë qytetin. Ne do bërtasim Rama ik. Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën tonë. Ne jemi këtu për të thënë se banda na ka vjedhur”, tha Ademi.

Më 1 korrik, Ademi tha se ka vetëm dy rrugë. “Më 1 korrik ose jemi të gjithë në burg politik ose do të marrim arratinë, do të kemi një eksod të dytë nga e gjithë Shqipëria. Kjo qeveri ia ka kaluar edhe Enver Hoxhën. Ju nuk mund t’i përdhunoni njerëzit e qytetit të Shkodrës”, u shpreh Voltana Ademi.

19:32 – Disa protestues janë transportuar në spital pasi kanë shfaqur probleme me frymëmarrjet si pasojë e gazit lotsjellës

19:18 – Nga selia e PS mësohet se mitingu elektoral i PS do të nisë në orën 19:45 minuta. Rama ishte në Vaun e Dejës para se të mbërrinte në Shkodër

19:17 – Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e policisë, ndërsa efektivët reagojnë duke hedhur gaz lotsjellës

19:15 – Tension në Shkodër, Voltana Ademi: Nuk do të lejojmë uzurpimin e qytetit

Mes protestuesve është në Shkodër është edhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila foli për mediat duke u shprehur se nuk do të lejohet uzurpimi I qytetit nga banda kriminale e Edi Ramës, siç e quajti ajo.

“Ne po kërkojmë vetëm qetësi. Nuk do t’i lejojmë që të uzurpojnë qytetin. E drejta jonë për të bërtitur Rama ik, me gjithë masakrën që ata kanë bërë në Shkodër është legjitime. Nuk ka asnjë arsye që policia e shtetit të gjuajë mbi njerëzit, qoftë me gaz apo me helme”, u shpreh Volta Ademi.

***

Simpatizantë të Partisë Demokratike janë përplasur me forcat e Policisë në Shkodër ende pa mbërritur kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit e Partisë Demokratike po marshojnë nga Bashkia në drejtim të Pedonales së qytetit, ku pritet që të mbërrijë dhe kryeministri Edi Rama për të mbajtur një takim elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit.

Policia nuk ka lejuar mbështetësit e opozitës që të hyjnë në drejtim të Pedonales dhe ka hedhur në drejtim të tyre spraj me piper. Sipas burimeve për A2 CNN mbi 200 efektivë policie dhe forca të FNSH janë angazhuar për të kontrolluar situatën dhe shmangur përplasjet mes palëve.

Pak më parë, kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi u shpreh se mitingu i PS është i paligjshëm pasi jemi në kushtet kur presidenti ka anuluar zgjedhjet.

Shkarkoni aplikacionin e A2