Rama: Orvatje e Haxhi Qamilëve të sotëm, mbase duan të bëjnë 2 prill tjetër – A2

Rama: Orvatje e Haxhi Qamilëve të sotëm, mbase duan të bëjnë 2 prill tjetër

Kryeministri Edi Rama ka cituar Ismail Kadarenë në fjalën e tij në Kuvend, për të komentuar përgjimet e reja të publikuara nga “Bild” dhe përpjekjet e opozitës për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.

“Fjalët e tij më aktuale se asnjëherë. Sepse e tillë është orvatja e Haxhi Qamilëve të sotëm për t’i hedhur në erë me dhunë urën e krijuar me shumë mund, për t’u lidhur më në fund me Europën duke u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Bisedimet nisin me drejtësinë dhe çelja e kapitujve të drejtësisë nuk është më çështje legjislacioni, por do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm të provojë aftësinë e vet për të gjykuar Presidentë, ish-Presidentë, Kryeministra, ish-Kryeministra, e kështu me radhë. Sistemi do t’i vendosë të gjithë si të barabartë. Drejtësia të jetë e njëjtë për të gjithë. Ankthi nga drejtësia e nga zgjedhjet”, tha Rama.

Sa i përket njoftimit nga Bashkia e Shkodrës për mosdhënien e lejes për zhvillimin e takimit elektoral të PS, të programuar sot pasdite, Rama u shpreh: “Për herë të parë nga viti 1991 që ne kemi nisur fushatat elektorale, rishfaqet fenomeni i dëshpëruar i antimitingashëve!”, shtoi Kryeministri.

“Mbase duan të bëjnë një 2 prill tjetër sot pasdite. Sepse historia ka treguar se asgjë nuk ka ndryshuar në kokën e atij që është lideri suprem i Partisë Demokratike. Dhe fatkeqësisht është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e Presidentit, por që e ka humbur këtë të drejtë për të qëndruar në atë zyrë dhe qe i hedh benzinë zjarrit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2