Rama për përgjimet: Skenar i opozitës, shteti nuk gjunjëzohet dot

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në fjalën e tij në Kuvend edhe përgjimet e publikuara një ditë më parë nga e përditshmja gjermane “Bild”. “Çdo bisedë, dhe ajo më e zakonshmja, duket e pazakontë kur del nga konteksti”, u shpreh ai.

“Ato përgjime po e kryejnë funksionin e tyre për objektivin që janë bërë. Për një betejë zgjedhore ku ka qenë e instaluar e gjithë PD. Është vendosur antena vetëm mbi shtabin e Partisë Socialiste, dhe asnjë nga pala tjetër. Pse nuk pati asnjë kapje në flagrancë? Pse dolën tani? Pse shkuan në Gjermani? Dhe pse lajmet e Gjermanisë i paraprin “qim.neti” i Shqipërisë?”.

Rama konfirmoi edhe një herë qëndrimin për të paditur gazetarin gjerman Peter Tiede në Gjermani. “4 javë është afati për të ngritur padi në Gjermani. Do t’i kërkoj gjykatave gjermane të zbardhin gjithçka që është thënë në adresën time. Atë bisedë e kam bërë dhe do ta përsërisja prapë. Kam bërë me gjithë shtabet e në të gjithë Shqipërinë, me mijëra”, tha Rama.

Ai konfirmoi edhe një herë qëndrimin e PS për të zhvilluar zgjedhjet vendore. “Më çojnë sms nga jashtë e më thonë që do vijnë të votojnë më 30 qershor. Kjo ka të bëjë me si do jetë Shqipëria pas 30 qershorit. Përgjigja e 30 qershorit do të jetë e plotë. Të gjithë ata që mendojnë se ka ardhur koha e rrumpallës mbi ligjet që vetë kanë bërë, duhet të mendohen. Është një luftë kundër, ose pro, drejtësisë. Shteti nuk gjunjëzohet dot”.

Shkarkoni aplikacionin e A2