Vasili për përgjimet: Vulgaritet që ka tronditur edhe shqiptarin më indiferent – A2

Vasili për përgjimet: Vulgaritet që ka tronditur edhe shqiptarin më indiferent

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh në “Ditari” në A2 CNN se pas përgjimeve të publikuara nga “Bild” “të gjithë shqiptarët e kanë të qartë që kanë një kryeministër që drejton operacionin kriminal të vjedhjes së votave, ministra që ndajnë tendera me kriminelë dhe deputetë që i bëjnë presion qytetarëve me vendin e punës”.

“Edi Rama sot nuk duhet të ishte në Parlament, por në prokurori nëse do të kishte prokurori. Ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një vulgaritet që ka tronditur edhe njeriun më indiferent në Shqipëri”, theksoi Vasili.

Nënkryetari i LSI-së shtoi: “Sot ka prova të tmerrshme, por prokuroria ende nuk po lëviz. Po kërkon protestuesin më të fundit, kanë arrestuar një djalë me autizëm dhe një invalid në protestat tona. Ndërkohë, kriminelët që kanë vjedhur votat i kanë në mes të Parlamentit. Çfarë presin më?”

“Një kryeministër tjetër do të kishte dhënë dorëheqjen, do t’i nënshtrohej gjykimit, por ka frikë nga drejtësia. Ngaqë kanë tmerr nga drejtësia, janë gati t’i drejtohen krimit. Autorët e 2 Prillit flasin sërish për 2 Prillin”, u shpreh Vasili.

Shkarkoni aplikacionin e A2