25 vjet nga vrasja e Escobar-it të pafajshëm

Amerika e Jugut i ka dhuruar botës disa ikona të futbollit, por ka vuajtur edhe nga disa tragjedi të tmerrshme. Një prej tyre është vrasja e Andres Escobar, lojtarit të kombëtares së Kolumbisë, “krimi” i vetëm i të cilit ishte shënimi i një autogoli në Kupën e Botës.

Për ata që e njohin Kolumbinë vetëm nga seriali i Netflix, Narcos, vrasja e Escobar është thjesht një episod sporadik, por në të vërtetë, në Kolumbinë e atyre viteve, ekzekutimi i tij pasi shënoi një autogol që eliminoi kombëtaren nga Botërori “USA ‘94”, tronditi vendin.

Pavarësisht problemeve me kartelet e drogës, shpresat e gjithë kombit për të ndryshuar imazhin vareshin të skuadra e futbollit, që në përbërje kishte emra të rëndësishëm të sportit, si Faustino Asprillia dhe Carlos Valderrama. Por turneu nuk shkoi si duhej dhe më 22 qershor 1994, saktësisht të shtunën, 25 vite më parë, Kolumbia u mund 2-1 nga SHBA, falë autogolit të Escobar-it, i cili përveç mbiemrit dhe qytetit të lindjes (Medelin) nuk kishte asnjë lidhje me trafikantin famëkeq Pablo.

Pablo Escobar, Mbreti i kokainës në Kolumbi.

Grupet kriminale në Kolumbi, që kishin vënë shumë para në lojë për kualifikimin e kombëtares nuk e pritën aspak mirë këtë që ndodhi. E duke qenë se qytete si Kali, apo Medelini, kishin nivelet më të larta të vrasjeve në botë në ato vite, gjithçka dukej se të çonte te më e keqja.

Andres Escobar, i lindur në Medelin, nuk kishte asnjë lidhje me Pablo-n.

Me t’u kthyer në shtëpi, miqtë e Andres e këshilluan të mos dilte nëpër rrugë sa të ulej tensioni, por ai mësohet t’u ketë thënë që nuk dëshironte të fshihej prej njerëzve. Ky vendim do të ishte fatal, në një qytet si Medelini, ku çdo javë ndodhnin 80 vrasje. Ai shkoi në një klub nate por aty njerëzit nisën të flisnin për autogolin. Escobar vendosi të largohej, por teksa doli në parkim për të hipur në makinë, dy vetë e qëlluan me gjashtë plumba. Thonë që dy vrasësit bërtitën “gooool” ndërsa tërhiqnin këmbëzat… Më vonë, vrasjen e mori përsipër një “ushtar” i kartelit, Humberto Munoz, i cili u dënua me 43 vite burg, por qëndroi pas hekurave vetëm 11.

Humberto Munoz, vrasësi i Andres Escobar.

Tragjedia pikëlloi të gjithë njerëzit e ndershëm të vendit. Ai konsiderohej si “futbollisti xhentëlmen” dhe në verë dukej se do të bënte kalimin e madh në futboll, pasi pritej të firmoste me Milanin. Lotët e Asprillia-s dhe Valderrama-s në televizor do të mbahen mend gjatë. Vrasja e pakuptimtë zgjoi Kolumbinë dhe 48 milionë banorët e saj.

Ishin vitet kur autoritetet nisën të rrisnin presionin kundër karteleve të drogës dhe disa prej kriminelëve më famëkeq u ekstraduan në SHBA, ndërsa Escobar-i tjetër, mbreti i kokainës, ishte vrarë disa muaj më parë. Vala e ndryshimeve u ndie edhe në kombëtaren e futbollit, lojtarët e brezit të vjetër, si portieri i famshëm Rene Higuita – i lidhur me baronët e drogës – u zëvendësuan me një brezi të ri lojtarësh.

Në vitin 2001, Kolumbia fitoi Kupën e Amerikës, ndërsa në ditët e sotme, skuadra ka në gjirin e saj yje botërorë si Radamel Falcao dhe James Rodriguez. Në Botërorin e vitit të kaluar, 30 000 tifozë ndoqën skuadrën në Rusi dhe pavarësisht se kërcënimet me vdekje ndaj Carlos Sanchez pas një kartoni të kuq në ndeshjen kundër Japonisë treguan se problemet e vjetra nuk ishin kapërcyer tërësisht, kryesisht gjërat shkuan mirë. Ndërsa epiqendra e krimit, Medelini, nga një pikë e nxehtë ekzekutimesh mafioze tashmë është shndërruar në një qytet turistik, me resorte, muze, kopshte botanikë…

Shkarkoni aplikacionin e A2