Avionët elektrikë, e ardhmja e transportit ajror

Avionët elektrikë dhe hibridë rrëmbyen shfaqjen në Panairin e Parisit, ku kompanitë e reja konkurrojnë me gjigandët e industrisë duke prezantuar teknologjitë dhe modelet e reja.

Linjat ajrore porositën miliarda dollarë avionë të rinj nga Airbus dhe Boeing, teksa shfaqën interes të madh në avionët e së nesërmes.

Në të ardhmen e afërt pritet të zhvillohen taksi urbane fluturuese me helika elektrike, ndërsa avionët e mëdhenj elektrikë me rreze të gjatë fluturimi pritet të vihen në punë pak kohë më pas.

Dy janë faktorët kryesorë që po nxisin investimin në këtë teknologji: e para fakti që industria botërore e aviacionit prodhon 3% të emetimeve të dioksidit të karbonit dhe e dyta fakti që kjo industri shpenzon 180 miliardë dollarë në vit për karburant.

Modeli që mori vëmendjen më të madhe ishte Alice, nga prodhuesit izraelitë Eviation Aircraft. Ky avion mund të fluturojë 9 pasagjerë për 1 mijë kilometra me një karikim dhe pretendon se mund të shkurtojë kostot e linjave ajrore me 70%.

Industria parashikon të vendosë aeroplanë elektrikë në operim brenda vitit 2022.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN