Përgjimet, deputetët e PS: Askush mos të mbrohet nga hetimi

Në kulmin e publikimit të përgjimeve pjesë e dosjeve 184 dhe 339, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku zbuloi në Kuvend, se ka përfunduar transkriptimi  i rreth 700 cd-ve dhe I kërkoi prokurorëve të dalin sa më pare me konkluzione.

Në konkluzione kanë dalë ndërkohë socialistët, që shprehen të bindur se Prokuroria i ka mbajtur përgjimet në sirtar për t’i shfrytëzuar ato politikisht.

Xhemal Qefalia, është një prej deputeteve që rezulton i përfshirë në përgjimet e BILD. Ai nuk mohon bisedën me drejtorin e Policisë së Dibrës, të cilit socialistet i premtonin rritje në detyrë.

“Pallavra, janë biseda shoqërore”, thotë ai.  

Justifikimet nuk mungojnë. Por deputetet e PS pranojnë se përmbajtja e përgjimeve i ka shqetësuar.

“Duhet të vepronte Prokuroria para 3 vjetësh, dosjet janë të mbyllura, besoj se këto janë indicie për të cilat duhet hetuar, madje për të gjitha, se ka edhe për opozitën”, deklaroi ish kryeministri Bashkim Fino.

Ngrenë dyshime mbi autenticitetin e përgjimeve dhe thonë se asnjë prej socialisteve nuk duhet mbrojtur nga hetimi.

“Çdo keqpërdorim i këtyre gjerave dëmton procesin, dhe çdo person që nuk respekton mandatin e tij duhet te ndëshkohet sipas ligjeve”, pohon deputeti Musa Ulqini.  

“Përgjegjësi morale? Le të shikojmë si do të provohen të gjitha, dhe padyshim do të jetë një ngjarje që do  të ketë vëmendjen e vet”, thotë Anastas Angjeli.

Shkarkoni aplikacionin e A2