Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Presidenti i ri i KE-së, liderët nuk bien dakord. Macron kunder Weberit

Nga A2 CNN
21 Qershor 2019, 14:20 | Bota
Presidenti i ri i KE-së, liderët nuk bien dakord. Macron kunder

Liderët e 28 vendeve anëtare nuk po dakordësohen dot mbi emrat e atyre që do të marrin postet kryesore të bllokut. Takimi i zhvilluar të enjten në Bruksel u mbyll pa ndonjë rezultat, edhe pse bisedimet vazhduan përgjatë gjithë natës.

Krerët e unionit u përpoqën gjithashtu të vendosnin se cilat çështje do të kishin prioritet gjatë 5 viteve të ardhshme. Një samit i ri do të mbahet në 30 qershor, dy ditë para mbledhjes së Parlamentit Evropian. Posti më i rëndësishëm që po vendoset është ai i Presidentit të Komisionit Evropian, të cilin që prej vitit 2014 e ka mbajtur ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.

Ky i fundit u përpoq të çdramatizonte situatën: “Po kuptoj me shumë kenaqësi, çudi e madje edhe lumturi se nuk qenka edhe aq e lehtë të më zëvendësojnë”. 

Parlamenti thotë se Presidenti duhet të zgjidhet nga partia që siguroi shumicën e votave në zgjedhje, çka nënkupton gjermani Manfred Weber i Partisë Popullore Evropiane. Rivalë të fortë të tij janë Frans Timmermans dhe danezja Margrethe Vestager, një liberale.

Por, Presidenti francez Emmanuel Macron mbështet bashkombësin e tij dhe ish-kryenegociatorin e Brexit, Michel Barnier: “Nuk kam asgjë kundër një kandidati gjerman. E thashë dhe nuk ishte shaka. Nëse kancelarja Angela Merkel do të ishte kandidate, do ta kisha mbështetur plotësisht, pasi mendoj se i ka të gjitha cilësitë për të qenë presidente e Komisionit Evropian”. 

Nga ana e saj, kancelarja theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi sa më shpejt të jetë e mundur. Përpos zëvendësuesve të Junker dhe Donald Tusk, liderët duhet të vendosin edhe mbi Presidentin e ri të Bankës Qendrore Evropiane dhe përfaqesuesit të lartë të politikës së jashtme.

A2 CNN Livestream

Dita jonë