Protesta e 9 e opozitës, Basha: Të bashkuar deri në 30 qershor

23:09 – Basha: Ka ndryshim të qëndrimit ndërkombëtar, janë ndërgjegjësuar për blerjen e votave

Pas protestës së 9 kombëtare, e cila mund të cilësohet si më e qeta e opozitës, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët në selinë e PD.

Po ashtu, Basha ka zhvilluar edhe një takim me strukturat e PD, nga ku mësohet se kreu demokrat është shprehur se ka ndryshim të qëndrimit të ndërkombëtarëve. “Tashmë gjithkush është ndërgjegjësuar për blerjen e votave”, ka thënë ai.

Gjithashtu, mësohet Basha ka theksuar se java e ardhshme është e rëndësishme. “Aleanca qytetare për mbrojtjen e demokracisë duhet të jetë në aksion të plotë”, mësohet se ka thënë kreu demokrat.

22:57 – Mbyllet mbledhja e PD me aleatët, Kryemadhi: Shqiptarët të jenë të qetë, Rama ka ikur

Ka zgjatur rreth 30 minuta takimi i kreut të PD me aleatët. Pas daljes nga takimi, Kryemadhi nuk preferoi të japë detaje nga ajo që është biseduar, ndërsa u shpreh se shqiptarët duhet të jenë të qetë. “Edi Rama ka ikur”, tha Kryemadhi.

“Iu bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë të qetë. Edi Rama ka ikur. Ajo që është më e rëndësishme është se e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të ikë dhe nuk ka për të ikur asnjëherë. Kjo protestë e jashtëzakonshme sot, që kishte me qindra dhe me mijëra gra dhe vajza, tregoi edhe njëherë se të gjithë shqiptarët janë kundër asaj që Edi Rama po bën sot”, tha Kryemadhi.

22:20 – Gjatë fjalës së zotit Basha, brenda selisë së PD është futur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili. Mësohet se do të ketë një takim të Bashës me aleatët, nga ku do të vendoset për aksionin e radhës së opozitës.

Basha: “30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë kurrë. Sonte, me bekimin dhe kërkesën tuaj, qëndrimit tonë politik për zgjidhjen e kësaj krize përmes kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës, të një qeveie tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme, i shtohet një tjetër kusht i panegociueshëm, arrestimi dhe çuarja para drejtësisë i hajdutëve të votave tuaja”, u shpreh Basha.

“Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa çuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve. Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka zgjedhje pa opozitën. Jemi më të fortë, më të shumtë, më të vendosur se kurrë për triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Falënderim edhe për socialistët që u bashkuan sot kundër krimit me vëllezërit e tyre demokratë, për Shqipërinë si gjithë Europa. Në ditët në vijim do të jemi të bashkuar në mbrojtje të votës së lirë”, shtoi kreu i PD.

22:16 – Basha në selinë e Partisë Demokratike

“30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë kurrë. Sonte, me bekimin dhe kërkesën tuaj, qëndrimit tonë politik për zgjidhjen e kësaj krize përmes kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës, të një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme, i shtohet një tjetër kusht i panegociueshëm, arrestimi dhe çuarja para drejtësisë i hajdutëve të votave tuaja.

Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa çuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve”.

22:10 – Rama poston video me familjen në koncertin e Carla Brunit

View this post on Instagram

😍

A post shared by Edi Rama (@ediramaal) on

Ndërsa opozita e bashkuar vijonte protestë-marshimin e saj nga Kryeministria te Parlamenti, Kryeministri Edi Rama postoi një video me familjen e tij ndërsa ndiqte koncertin e ish-Zonjës së Parë të Francës, Carla Bruni në Butrint. Në video shfaqet kryeministri Rama, bashkëshortja Linda dhe djali i tyre i vogël Zaho. Më herët kryeministri Edi Rama u takua me ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy.

22:03 – Vetëm pak minuta ka zgjatur qëndrimi i protestuesve dhe kreut demokrat Basha e ish-deputetëve të PD pranë godinës së Parlamentit.

22:00 – Mësohet se Lulzim Basha pritet të mbledhë ish-grupin parlamentar të PD.

Menjëherë pas thirrjes së kreut demokrat, protestuesit u nisën drejt godinës së Parlamentit.

21:41 – Basha: Marshoni me mua vëllezër dhe motra drejt Parlamentit. Zoti ju bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë

21:34 – Basha: Ju ftoj ta vazhdojmë rezistencën tonë që po shkon drejt fitores së sigurt të Shqipërisë së vlerave ndaj Shqipërisë së krimit. Do vazhdojmë deri në fitore qytet më qytet e fshat më fshat.

21:30 – Basha: Të zotohemi se hapat e fundit të kësaj beteje do të na gjejnë më të vendosur, më të bashkuar… Mesazhi ynë sonte po këmbon në Berlin, në Uashington, Londër dhe Romë, Paris dhe Bruksel.

21:25 – Basha: Sonte do të vendosim vdekjen politike të organizatës kriminale të “Rilindjes”

21:13 – Basha-ndërkombëtarëve: Zgjidhja kalon përmes dy hapave…

Teksa mbajti fjalën e tij përballë qytetarëve në protestën e 9 të opozitës, Lulzim Basha pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët.

Ai tha se zgjidhja kalon vetëm mes dy hapave. “Gjatë kësaj jave dhe asaj që shkoi, çdo përfaqësues i demokracive perëndimore që nuk ka besuar krimin e organizuar, bandat në pushtet, më në fund e ka kuptuar se përballë tyre ka qenë jo një kryeministër, por një kryemafioz. Atyre dua t’u them se standardi Europian i kësaj zgjidhje kalon vetëm mes dy hapave të pa negociueshme. Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm dhe zgjidhje politike, pa nxjerrë nga burgu vëllezërit tani që protestuan dhe pa futur në burg ata që vodhën vota, nuk ka zgjidhje politike”, tha Basha.

Basha theksoi edhe njëherë tjetër se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. “30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës”, tha kreu i PD.

21:02 – Basha: Pas 6 vitesh, e gjithë bota pa fytyrën e vërtetë të Ramës

“Si kurrë më parë është mbushur ky shesh, nga “Nënë Tereza” te “Skënderbeu”. Një ditë dhe datë si kjo do të mbahet mend përherë në historinë tonë.

Rama ik del sot nga kraharori i çdo shqiptari. Ora e të vërtetës erdhi. 6 vite me radhë qëndruam, 6 vite me radhë qëndruat dhe më në fund e gjithë bota e pa fytyrën e vërtetë të Edi Ramës”.   

20:48 – Rikthimi i Metës në LSI? Kryemadhi: Të futet në garë

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, iu bashkua protestës së 9 të opozitës, duke u shprehur se mbrëmja e sotme do t’i japë fund tranzicionit.

“Rama do të jetë etapa e fundit e tranzicionit shqiptar”, u shpreh Kryemadhi.

E pyetur nga gazetarja e A2 CNN Elona Gjylmi nëse ajo do të ishte e gatshme t’ia lëshonte vendin e kreut të LSI bashkëshortit të saj nëse ai shkarkohet si president Kryemadhi u përgjigj: “Jam shumë e lumtur nëse zoti Meta do t’i rikthehej jetës së tij normale. Megjithatë, unë di të them se në karrierat e secilit nga ne, asnjëri nuk ka ndikuar te tjetri, secili ka pasur këndvështrimin e tij, secili ka pasur karrierën e tij me uljet dhe ngritjet, pavarësisht të dy kemi marrë kosto, por jo benefite. Do të doja të vinte të kandidonte, të hynim në një garë të vërtetë dhe të shikonim se kush do të fitonte”, tha Kryemadhi.

20:24 – Bashkë me kreun e PD në protestë do të jetë edhe bashkëshortja e tij, Aurela dhe vajzat Dafina dhe Viktoria.

20:20 – PD: Edi Rama në “shtrat” me krimin

Partia Demokratike sqaron simbolet që do të përdoren në protestën e 9 kombëtare.

“Simbolet e protestës së sotme janë frymëzuar nga përgjimet e dosjes 339 dhe 184, të vjedhjes së zgjedhjeve nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin dhe me njerëzit e tij të korruptuar në qeveri, polici, administratë. Një krevat i madh, ku qëndrojnë të rinj me portretet e Edi Ramës dhe të personave me të cilët ai ka bashkëpunuar si një organizatë kriminale për të vjedhur zgjedhjet. Poshtë emrit të Edi Ramës është nofka Babloku, siç e thërrasin kriminelët me të cilët ai bashkëpunon. Imer Lala thirret babloku i vogël, kriminel i lindur, Damian Gjinuri është cilësuar me ironi si guru, për shkak të lidhjeve misterioze me një personazh misterioz indian, Saimir Tahiri quhet El Chapo si bosi i kartelit më të fuqishëm meksikan të drogës. Vangjush Dako tallet me nofkën “akullorja”, siç e thirri veten në zhargon për të treguar se është i pastër nga lidhjet me krimin. Erion Veliaj është quajtur me ironi Fiku, për shkak të historisë që tregon për t’u viktimizuar dhe Arben Keshi, personi që del në përgjime me Ramën duke i garantuar zbatimin e skemës për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër.

20:14 – Presidenti Meta thirrje për protestë paqësore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pak momente para nisjes së protestë së 9-të të opozitës së bashkuar.

Presidenti Meta shkruan se e drejta për të protestuar është jetike për demokracinë dhe iu kërkon të pranishmëve të vetëpërmbahen dhe të përqendrohen në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kreu i Shtetit shton se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm përmes dialogut

Deklarata e Presidentit Ilir Meta

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta çmon se e drejta për të protestuar është e drejtë themelore dhe jetike për demokracinë.

Presidenti Meta thekson rëndësinë që protesta e sotme e Opozitës së Bashkuar të jetë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune, si dhe u bën thirrje protestuesve të vetëpërmbahen dhe të përqendrohen në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Presidenti i Republikës beson se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit, dhe se ai do të vazhdojë pandërprerë përpjekjet e tij në këtë drejtim”.

19:58 – Mësohet se policia ka informacione se protestuesit mund të marshojnë drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas dekretit të Presidentit Meta për anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

19:30 – Pankartat që do të shfaqen në protestën e 9 kombëtare të opozitës

***

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë sërish sot vendi ku opozita dhe mbështetësit e saj do të mblidhen në protestën e 9 kombëtare.

Qe nga 8 qershori, kur ishte protesta e radhës, përplasjet mes qeverisë, Presidentit dhe opozitës janë shtuar. Shkak është bërë mosnjohja nga mazhoranca qeverisëse e zhdekretimit të 30 qershorit si datë zgjedhjesh.

Nga qendra, beteja zbriti në bazë, ku mbështetësit e opozitës në bashkitë e djathta u përplasen me Policinë e Shtetit duke kërkuar lirimin e KZAZ-ve. Përgjimet e gjermanes BILD, ku zbardhen biseda mes eksponentëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste dhe zyrtarëve lokale për blerjen e votave, janë një tjetër argument i përdorur nga Basha. Këto përgjime, sipas Bashës, faktuan akuzat e opozitës se zgjedhjet e 2017 janë blerë me paratë e krimit.

Kreu demokrat, vetëm një ditë më parë paralajmëroi se nuk ka marrëveshje politike, pa dënimin e të gjithë atyre që akuzohen për vjedhje të votave. Sot, kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi një protestë paqësore dhe së bashku me të në tubim do të jenë edhe fëmijët dhe bashkëshortja e tij.

Rreth 1300 forca policore pritet të jenë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Ashtu si edhe herë të tjera, Kryeministri Rama nuk do të jetë në Kryeministri, ndërsa protestohet poshtë zyrës së tij. Kreu i qeverisë do të jetë në Butrint, ku do të marrë pjesë në koncertin e Carla Brunit, bashkëshortes së ish-Presidentit francez, Nicola Sarkozy me të cilin mësohet se vetëm rreth orës 17:00 ka zhvilluar një takim me të në Kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2