Shalsi, i ashpër me opozitën: Ka mbetur në dorë të kalamajve

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, i ftuar në “Ditari” në A2 CNN kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se figurat e saj kryesore janë, sipas tij, “çunakë” dhe “kalamaj”.

“Opozita ka mbetur në dorë të disa çunakëve dhe kalamajve. Shikoni pak se kush janë protagonistët e opozitës për të kuptuar se çfarë alternative mund të jenë ata për shqiptarët”, u shpreh ministry.

Shalsi shtoi se opozita nuk hyri në zgjedhje dhe braktisi Parlamentin “sepse nuk dinë të përballen me alternativa, nuk dinë të ofrojnë ide dhe vizione”.

Kur u pyet mbi përgjimet e publikuara nga “Bild”, Shalsi tregoi se këto përgjime “vërtetuan shqetësimin tonë të madh”, duke iu referuar mungesës së drejtësisë në vend.

“E kishin dosjen 3 vjet atje dhe në vend që të vendosnin përgjegjësit përpara ligjit, gjetën gazetarin e huaj për përfitim politik”, tha Shalsi.

Në lidhje me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, ministry theksoi: “Presidenti ka dalë në frontin opozitar, nuk është më mbi palët. Dhe bën pjesë në skenarin për të krijuar atë iluzionin e një vendi të destabilizuar politikisht dhe jo vetëm”.

Shkarkoni aplikacionin e A2