Trump urdhëroi sulme ushtarake ndaj Iranit, por më pas u tërhoq – A2

Trump urdhëroi sulme ushtarake ndaj Iranit, por më pas u tërhoq

Presidenti amerikan Donald Trump aprovoi sulme ushtarake kundër Iranit të enjten, por më pas ndryshoi mendje.

“New York Times”, që citon zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, thotë se ishin planifikuar sulme kundër disa shënjestrave, përfshirë radarë dhe bateri raketash. Sipas tyre, operacioni ishte në fazën fillestare kur numri një i Uashingtonit urdhëroi ushtrinë që të tërhiqej. 

“Avionët dhe anijet ishin në pozicion sulmi, por asnjë raketë nuk u lëshua kur erdhi urdhri për t’u tërhequr”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Sulmet do të kryeheshin pak para agimit të ditës së premte për të minimizuar rrezikun ndaj ushtrisë iraniane apo civilëve, pohon gazeta. Më pas, edhe media të tjera amerikane raportuan në mënyrë të pavarur të njëjtën gjë.

“Associated Press” citoi një zyrtar të lartë amerikan të thoshte se sulmet ishin rekomanduar nga Pentagoni dhe ishin mes opsioneve që iu paraqitën zyrtarëve të lartë të administratës. Operacioni u anulua pasi Presidenti Trump e kaloi pjesën më të madhe të së enjtes duke diskutuar mbi çështjen e Iranit me këshilltarë të sigurisë kombëtare e liderë të Kongresit.

Thuhet se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltari i sigurisë, John Bolton mbështetën linjën e ashpër, por liderët e Kongresit bënë thirrje për përmbajtje. 

Senatori Chuck Schumer u shpreh: “Pozicioni demokrat është se duhet të kërkohet aprovimi i Kongresit para nisjes së ndonjë konflikti në Iran. Një prej mënyrave më të mira për të shmangur luftën që nuk e do ashkush është zhvillimi i një debati të hapur e të fortë në Kongres”. 

Tensionet mes dy vendeve përshkallëzuan pasi Irani rrëzoi një dron survejimi të ushtrisë amerikane me pretendimin se kishte shkelur hapësirën e tij ajrore. 

Shkarkoni aplikacionin e A2