KQZ shtyn vendimin për grupet e numërimit të votave – A2

KQZ shtyn vendimin për grupet e numërimit të votave

Tetë ditë para procesit elektoral të 30 qershorit, KQZ ende nuk ka ngritur grupet e numëruesve të votave, ndonëse afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor sanksionojnë se kjo tashmë duhej të kishte ndodhur.

Çështja ishte pjesë e rendit të ditës në mbledhjen e së shtunës, por me kërkesë të anëtarit Bledar Skënderaj, i propozuar nga Partia Socialiste, komisioni e shtyu atë.

Askush nuk tregoi cilat janë paqartësitë e aktit, por në draftin që anëtarët e Komisionit kishin mbi tryezë, të cilin A2 CNN e disponon, KQZ pritej të vendoste që grupet e numëruesve të përbëheshin nga tre anëtarë, dy të Partisë Socialiste dhe një i tretë i emëruar kryesisht. Kjo do të bënte që më 30 qeshor socialistët jo vetëm të ishin të vetëm në votim, por të numëronin e të përcaktonin vetë sa vota kanë marrë.

Ndërkohë, KQZ spostoi KZAZ-në e Kukësit në një ambient privat pas përpasjeve të disa ditëve më parë. Për shkak të tensionimit të situatës, policia dhe protestuesit gjetën një marrëveshje që të lironin ambientet e caktuara fillimisht.

Më e vështirë do të jetë për KQZ-në të bëjë të njëjtën gjë edhe për qendrat e votimit. Mbrëmjen e së premtes, pas protestës, opozita vendosi që në 27 bashkitë që drejton të mos i japë Komisionit ambientet e nevojshme për qendrat e votimit. Bëhet fjalë për rreth 2000 qendra votimi që nuk janë marrë në dorëzim nga KQZ. Ato mund të zëvendësohen me ambiente private, por duket se Komisioni do të jetë në luftë me kohën për të arritur një gjë të tillë.

Shkarkoni aplikacionin e A2