Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Protesta më e qetë e opozitës, Basha shton kushtet: 30 qershori varri politik i Ramës

Nga A2 CNN
22 Qershor 2019, 10:48 | Politikë
Protesta më e qetë e opozitës, Basha shton kushtet: 30 qershori

Lulzim Basha e kishte deklaruar se në protestën e nëntë kombëtare të opozitës do të dilte me bashkëshorten dhe vajzat. Ato mbërritën në selinë blu pak para nisjes së saj. Disa qindra metra më tutje, në qendër të Tiranës, Monika Kryemadhi sapo kishte dalë nga selia e LSI-së. Edhe ajo kishte mesazh për një familjar, Presidentin Meta. “Do të doja të vinte të kandidonte, të hynim në një garë të vërtetë dhe të shikonim se kush do të fitonte”, tha ajo.

Përgjimet e dosjeve 339 dhe 184 kishin frymëzuar disa prej pankartave të opozitës, që para zyrës së Kryeministrit kishte sjellë edhe një bust të ngjashëm me atë të ish-diktatorit, por me portret të zëvendësuar, atë të Edi Ramës. Me lakun gati në fyt, busti u rrëzua sapo mbërriti kryedemokrati Basha. “Ora e të vërtetës erdhi. 6 vite me radhë qëndruam, 6 vite me radhë qëndruat dhe më në fund e gjithë bota e pa fytyrën e vërtetë të Edi Ramës”, u shpreh Basha.

Burgu ishte kryefjalë e Lulzim Bashës, edhe kur foli për amendamentin në Kodin Penal që ndalon daljen jashtë vendit deri në 10 vjet, për kë përfshihet në krime zgjedhore. “Lëvizja e lirë kërcënohet, do të bëjnë burg pupacët e Ramës. Kushdo që do e provojë, do të provojë hekurat e drejtësisë dhe burgut. Sa herë që ngrini kartonin për krimin, personalisht do mbaheni përgjegjës. Ju a them në emër të sovranit”.

Largimi i Ramës mbetet i panegociueshëm, por kryedemokrati shtoi një tjetër kusht për zgjidhjen e krizës. “Nuk bëjmë asnjë hap pas: nuk ka zgjedhje më 30 qershor, beteja vazhdon qytet më qytet, fshat me fshat. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do të dështojë me turp dhe 30 qershori do jetë varreza e Ramës dhe rilindjes së krimit”.

Ajo që ishte përfolur se mund të degjeneronte në një prej protestave më të dhunshme, rezultoi në fakt më e qeta. Pas rreth 45 minutash, Basha ftoi protestuesit të marshonin drejt Parlamenti por edhe këtu gjithçka rezultoi e qetë. Pas vetëm 3 minutash, kryedemokrati tërhoqi simpatizantët në selinë blu. Në përfundim të protestës, Basha mblodhi ish-grupin parlamentar dhe aleatët. Në takim u vendos që protesta të zhvillohen kudo që shkon Kryeministri Rama, ndërsa për të mos lejuar zgjedhjet e 30 qershorit, kryebashkiakët e opozitës do të tërheqin listat e zgjedhësve. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli