Java drejt 30 qershorit, kolegji zgjedhor “vendos” për dekretin e Metës

E hëna pritet të nisë me zhvillime të vrullshme politike. Në javën e fundit të fushatës elektorale socialistët do të mbledhin kryesinë që në 8.30 minuta të së hënës.

Te 30 qershori do të jetë vëmendja maksimale, pa anashkaluar edhe kërkesën që të majtët kanë bërë për shkarkimin e Metës. Ky i fundit duhet të paraqitej në orën 10 në komisionin e ligjeve për dëgjesë. Përmes një letre zyrtare drejtuar kryetarit Ulsi Manja, ai ka refuzuar duke thënë se dekreti i tij që anuloi zgjedhjet e 30qershorit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë, përfshi këtu edhe vetë Kuvendin.

Procesin për shkarkimin e tij, Meta e quan atë të rremë, të pambështetur në argumente kushtetuese, por verbërisht politik. Por ky debat pritet të shterojë po të hënën rreth mesditës. Kolegji Zgjedhor do të vendose nëse më 30 qershor do të mbahen ose jo zgjedhjet.

 Përgjigja indirekte për dekretin e Metës do të vijë pas kërkesës që Idajet Beqiri, kreu i Partisë për Unitet Kombëtar, aleat me socialistët, kërkoi që të çregjistrohet nga zgjedhjet, për sa kohë ka hyrë në fuqi dekreti i presidentit Meta për zhdekretimin e 30 qershorit. Në kampin tjetër, demokratet janë të bindur se 30 qershor nuk do të ketë, ndaj fillim java pritet të sjellë aksion opozitar, pa përjashtuar këtu edhe ndonjë lëvizje të minutës së fundit nga ana e presidentit Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2