Taksat ndaj produkteve serbe, Vuçiç paralajmëron reagim

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar se shumë shpejt vendi i tij do të marrë masa kundër taksave të vendosura nga autoritetet kosovare ndaj produkteve serbe. Një vendim  i tillë, Vuçiç tha se do të bëhet i ditur menjëherë pas Ditës së Vidovanit pra në fund të korrikut, ngjarje kur serbët shënojnë betejën e humbur të Kosovës.

Sipas presidentit Vuçiç, çështja e reagimit ndaj taksave të vendosura nga Kosova është serioze

“Do të doja që mos ta bëjmë këtë, por nëse jemi të detyruar dhe nëse nuk ka progres, do të flasim me partnerët ndërkombëtarë dhe do të duhet ta bëjmë atë. Kur të flasim me përfaqësuesit e popullit tonë, menjëherë pas Vidovdanit, do të shohim se çfarë dhe si mund të marrim masa”, deklaroi Aleksandër Vuçiç.

Taksat 100% të vendosura nga autoritetet kosovare ndaj produkteve serbe i kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomisë së Serbisë. Këto taksa janë bërë dhe shkas për bllokimin e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës dhe shpesh herë ndërkombëtarët kanë kërkuar që këto masa të hiqen.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN