Zgjedhjet për Bashkinë e Stambollit, rifiton kandidati i opozitës

Përsëritja e zgjedhjeve lokale në Stamboll, nuk solli asgjë të re. Kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu fiton zgjedhjet për një nga bashkitë më të mëdha në Turqi, duke i dhënë një tjetër goditje partisë së presidentit Erdogan.

Pas numërimit të mbi 60% të fletëve të votimit, Imamoglu është në një avantazh të dukshëm ndaj rivalit Yildirim duke rikonfirmuar fitoren e tij në krye të Bashkisë së Stambollit siç bëri dhe në muajin mars. Imamoglu qëndroi në detyrë për 18 ditë, por Komisioni Zgjedhor urdhëroi që zgjedhjet të përsëriten për shkak të parregullsive.

Pas shpalljes së rezultateve paraprake festime të mëdha pati në zyrat elektorale të opozitës.

Imamoglu e cilësoi si një fitore të demokracisë në Stamboll.

“Fituan 16 milionë banorë të Stambollit. Mbyllëm një faqe të vjetër dhe hapëm një të re. Do të punoj pa përjashtuar askënd. Në 31 mars u ndal ora e demokracisë, por tani rinisi të fitojë”, u shpreh Imamoglu.

Kësaj radhe dhe presidenti Erdogan e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe uroi kandidatin e opozitës për detyrën e re në krye të Bashkisë së Stambollit.

Shkarkoni aplikacionin e A2