Kolegji Zgjedhor lë në fuqi 30 qershorin

Ndryshe nga hyrje-daljet e përditshme në gjykatë për shkak të profesionit të avokatit, këtë të hënë Idajet Beqiri kaloi pragun e Gjykatës së Apelit si kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar.  

Pas 100 minutash, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e tij për t’i çregjistruar partinë nga gara elektorale, duke lënë kështu në fuqi datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore 2019.

Partia për Unitet Kombëtar kërkoi çregjistrim nga zgjedhjet dhe heqjen e emrave të kandidatëve të saj nga fletët e votimit pasi Presidenti i Republikës anuloi zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, pa caktuar një datë tjetër për vendoret e këtij viti. Kërkesa u dërgua fillimisht në KQZ, ku u rrëzua dhe për këtë shkak Beqiri bëri ankim në Kolegjin Zgjedhor.

Në seancën e së hënës debati u përqendrua tek zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta. Idajet Beqiri tha se pas botimit të dekretit të dytë në Fletoren Zyrtare dhe situatës ku KQZ pretendonte zgjedhje dhe Presidenti jo, elektorati i tij u vu në një situatë absurde. “Duket si luftë me mullinjtë e erës”, tha Beqiri.  

Përkundër tij, përfaqësuesit e KQZ i thanë Kolegjit Zgjedhor se dekreti i Presidentit është akt administrativ nul, i pavlefshëm dhe pa asnjë pasojë juridike. Ata argumentuan se kërkesa e Partisë për Unitet Kombëtar kërcënon mbarëvajtjen e procesit, pasi fletët e votimit janë printuar tashmë. Sipas vendimit të shkurtuar të Kolegjit Zgjedhor, një kopje e të cilit u sigurua nga A2 CNN, vendimmarrja ka qenë unanime, pesë me zero, por dy nga gjyqtarët kanë pasur mendim paralel, çka do të thotë që kanë arsyetim të ndryshëm nga kolegët e tyre.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.

Në seancën e sotme në Kolegjin Zgjedhor Beqiri deklaroi pamundësinë e interpretimit të një dekreti, pasi sipas tij, akti i Presidentit është një akt individual administrativ. Nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe në Kolegj argumentoi vendimin se dekreti i Presidentit është një akt administrativ i pavlefshëm dhe nuk sjell asnjë vlerë juridike. Për pasojë, sipas KQZ, kërkesa e PUK është e pabazuar në ligj dhe cenon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Gjata parashtrimit të padisë së tij, kreu i PUK, Idajet Beqiri u shpreh: “Jemi njohur me dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor. Ne nuk kemi qenë dakord, për shkak se ishte në kufirin fundor të afatit për zgjedhje. Gjithsesi ne morëm të gjitha masat në strukturat e partisë. U regjistruam si subjekt zgjedhor. Ne nuk kemi marrë asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ne ishim të bindur që në 30 qershor do bëheshin zgjedhjet. Por pak ditë më parë u njohëm me një dekret të ri të Presidentit, i cili zhdekretonte datën e zgjedhjeve. Nuk u caktua një datë tjetër. Ndodhur në këtë situatë, kur pamë dhe që ky dekret u botua në Fletore Zyrtare, duke pasur qëllim unitetin kombëtar, pamë që ky unitet u cenua rëndë. Nga një anë KQZ thotë që do ketë zgjedhje, ndërsa Presidenti jo, partia dhe elektorati ynë u vu në një situatë absurde. Duket sikur po luftonim me mullinjtë e erës. Dikush mendoi të shkonim në Kushtetuese, por Kushtetuesja në vendimin nr.150, të Partisë Forca Rinia, është shprehur se nuk është kompetente e shqyrtimit. Ne duam të mos marrim pjesë dhe duam që Partia e Unitetit Kombëtar të hiqet nga fleta e votimit”.

Ndërsa Olsi Peto, përfaqësues i KQZ kërkoi rrëzimin e kërkesës dhe lënien në fuqi të vendimit të KQZ. “Ne i qëndrojmë vendimit tonë. KQZ ka miratuar fletët e votimit për 61 bashkitë dhe ka përfunduar printimi i fletëve të votimit. KQZ vlerëson se derisa Partia e Unitetit Kombëtar është e regjistruar në zgjedhje, ligjërohet të ankimojë në KQZ. Shfuqizimi i dekretit është në shkelje të Kushtetutës. Akti administrativ i pavlefshëm nuk sjell asnjë vlerë juridike. KQZ ka detyrim të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, dekretit të Presidentit. Për KQZ ky dekret nuk ekziston”, tha ai. “KQZ vlerëson se kërkesa e PUK është e pabazuar në ligj dhe cenon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Legjislacioni nuk parashikon raste të çregjistrimit. Kaq pak ditë para zgjedhjeve është e pamundur objektivisht që KQZ të ndërmarrë një procedurë të re prokurimi dhe riprintimi të fletëve të votimit. Nga ana tjetër kjo do të krijonte dhe një precedent që mund të përsëritej”.

Shkarkoni aplikacionin e A2