“Pa marrëveshje, Kosova e Serbia në fazë të rrezikshme”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëron për fazë të rrezikshme nëse nuk do të arrihet marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. “Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, marrëveshje ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, tha Thaçi.

Duke folur në konferencën “Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kreu i shtetit e vuri theksin te nevoja për unitet në Kosovë lidhur me procesin, dhe tha se deri më tani progresi ishte inekzistent.​ “Rrezikohen raportet rajonale nëse brenda vitit nuk ka marrëveshje me Serbinë. Fatkeqësisht situatat dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese, gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi duke vetë numëruar. Përkundër iniciativës së fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. 20 vjet më parë askush këtu në Prishtinë, Uashington, apo Bruksel, nuk ka mundur të imagjinojë që dy dekada më vonë, Kosova dhe Serbia nuk do të krijojnë marrëdhënie normale. Tani të gjithë ne që jemi këtu e dimë që nuk mund të presim edhe 20 vjet e tjera për t’i dhënë fund raporteve në mes nesh dhe Serbisë, e ritheksoj koha nuk është aleati ynë”.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është bllokuar pasi presidenti serb kundërshton taksën prej 100% ndaj produkteve serbe. Kryeministri Haradinaj refuzon të heqë tarifat deri në njohjen e shtetësisë nga ana e Beogradit.

Shkarkoni aplikacionin e A2