Raporti i BE-së për azilin: Bie numri i kërkesave, por shqiptarët vijojnë të largohen

Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në një vend të Bashkimit Europian ka ardhur në rënie, megjithatë sërish ka largime të konsiderueshme.

Në raportin vjetor të Agjencisë Evropiane për Monitorimin e Kërkesave të Azilit në BE, Zvicër dhe Norvegji, shqiptarët gjenden mes 10 vendeve me numrin më të lartë të aplikimeve për vitin 2018. Sa i përket kërkesave, ne gjendemi në një nivel me Venezuelën dhe Gjeorgjinë, me nga mbi 22 mijë të tilla.

Në 2017 ishin 26 235 aplikime për azil. Përgjatë 2018-s, shqiptarët kanë synuar kryesisht vende të tilla si Gjermania, Belgjika, Franca, Holanda, Britania, Suedia dhe Greqia. Aplikimet e shqiptarëve në këto vende të BE-së kanë hasur me refuzime të shumta, me mbi 80% të tyre me përgjigje negative. Sipas raportit, 2018 shënoi dhe një rritje në çështjet e mbetura pezull.

Ndërkaq, sa i përket kërkesave për azil në Bashkimin Europian, situata ka ardhur duke u përkeqësuar për shkak të krizave të ndryshme në Amerikën Jugore.

Nina Gregori, drejtoreshë e Zyrës Europiane për Azilin, tha: “Ndërsa numri i sirianëve që aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare ka rënë në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-s, aplikimet e afganëve dhe shtetasve nga Venezuela ishin më të numërt. Duhet të them se shtetasit nga Amerika Latine shkojnë kryesisht në Spanjë për shkak të gjuhës dhe kulturës. Ky trend duket se do të vazhdojë për shkak të situatës atje”.

Mbi 280 mijë aplikime janë regjistruar në të gjitha vendet anëtare të BE-së vetëm për 5 muajt e parë të 2019-s. Ka një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkarkoni aplikacionin e A2