Rojet bregdetare mungojnë në 90% të plazheve të Vlorës – A2

Rojet bregdetare mungojnë në 90% të plazheve të Vlorës

Pothuajse 90 për qind e plazheve që administron Bashkia e Vlorës nuk kanë roje bregdetare siç e parashikon ligji.

Këtë fakt e kanë konstatuar vetë grupet e kontrollit, të cilat gjatë paradites së kësaj të hëne monitoruan thuajse 200 plazhe nga Zvërneci deri në afërsi të Pashalimanit.

“Nga kontrollet që kemi bërë në të gjitha plazhet, rezulton se ka neglizhencë totale të pronarëve të plazheve në drejtim të rojeve të plazheve”, u shpreh Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë.

Ky konstatim pritet të shoqërohet edhe me penalitetet përkatëse, që variojnë nga gjobë deri në heqje të licencës.

“Toleranca do të jetë zero për këto që i shkel këto rregulla”.

Vetëm gjatë fundjavës së kaluar janë regjistruar dy persona të mbytur dhe një i zhdukur në plazhet shqiptare, ndërsa nga fillimi i sezonit numërohen katër viktima.

Shkarkoni aplikacionin e A2