130 mjekë e infermierë në gatishmëri të pushuesve

28 qendra shëndetësore në zonat bregdetare dhe malore të vendit kalojnë në gatishmëri. Deri në 15 shtator, urgjencat do të punojnë pa ndërprerje dhe në zonat ku fluksi i pushuesve është i lartë edhe stafi mjekësor është i shtuar. Drejtori i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj, tregon se këtë vit janë hapur qendra të tjera shëndetësore dhe të gjitha mbulohen me mjekë specializantë nga Tirana.

8 qendra shëndetësore 24-orëshe janë në funksion në Vlorë nga Qeparoi në Zvërnec. Krahas vizitave dhe injeksioneve të ndryshme do të kryhen edhe serumet për të cilat më parë pushuesit i drejtoheshin spitalit rajonal. Problemet më të shpeshta këtë periudhë janë për shkak të hipertensionit, djegieve nga dielli dhe pickimeve të ndryshme.

Për raste të rënda dhe urgjente, qendrat shëndetësore verore mbështeten nga autoambulancat dhe shërbimi i helikopterëve. Në tre muajt e verës, numri i trajtimeve në urgjencat shëndetësore arrin në 50 mijë vizita, më shumë se puna e një spitali rajonal gjatë gjithë vitit.

Shkarkoni aplikacionin e A2