“30 Qershori nuk është ushtrim demokracie”, Denar Biba shpjegon arsyen pse duhen bërë zgjedhjet patjetër – A2

“30 Qershori nuk është ushtrim demokracie”, Denar Biba shpjegon arsyen pse duhen bërë zgjedhjet patjetër

Denar Biba deklaroi nga studion e “I Ftuari” në A2 CNN se “data 30 qershor nuk është ushtrim demokracie, por republike dhe i shtetit të së drejtës”.

“Zgjedhjet e datës 30 nuk do të na japin atë produkt demokratik që ne do të dëshironim, por ajo datë është fitore e shtetit të së drejtës, pasi në këtë vend duhet të pushojë së bëri politikë përmes pazaresh, në dëm të institucioneve. Politikanët duhet të mësohen dhe të kuptojnë t’i qëndrojnë rregullave. Nuk mund të ketë shtet pa rregulla, nuk ka shtet demokratik po nuk pati shtet”, theksoi zv/kryetari i KQZ-së.

Kur iu kujtua se në një shkrim të tij, Denar Biba theksonte se “megjithëse nuk ka asnjë funksion themelor shtetëror, Kushtetuta i mundëson që të ndërhyjë përmes atributesh që i mundësojnë të mos jetë thjesht një noter”, zv/kryetari i KQZ-së u përgjigj se shkrimi ishte bërë para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat, sipas tij, “e bënë Presidentin realisht noter”.

“Shkrimi është bërë në vitin 2007, por ndryshimet kushtetuese që e bënë Presidentin realisht noter janë bërë në vitin 2008. Kushtetuta e vitit 2008 e zhveshi nga një seri kompetencash prej vërteti Presidentin dhe personalisht them që kompetencat që i kanë mbetur sot Presidentit nuk janë në lartësinë e terminologjisë që e cilëson garant dhe përfaqësues të unitetit kombëtar. Kushtetuta që kemi sot, që u bë me marrëveshje PD-PS, na çuan te një President që në mënyrë të vazhdueshme ka për t’u zgjedhur nga një mazhorancë e thjeshtë parlamentare”, u shpreh Denari Biba.

Shkarkoni aplikacionin e A2