A mund të realizohen zgjedhjet e 30 qershorit? Flasin ekspertët

Numrat vënë në dyshim procesin e votimit në 30 qershor, megjithë planin e masave të policisë për të mbajtur nën kontroll rendin këtë të dielë.

Për ruajtjen e mbi 5 mijë qendrash votimi janë rreth 7 mijë efektivë të angazhuar që do të ruajnë materialet zgjedhore.

Ish-kreu i Policisë së Lezhës, Arben Hajdarmataj, llogarit se, nëse opozita do të tentojë të bllokojë procesin, policia nuk ka kapacitete ta ndalë: “Sipas ligjeve në fuqi, punonjësi i policisë nuk mund të qëndrojë shumë pranë qendrës së votimit. Duhet të rrijë paksa larg që të mos intimidojë votuesin. Dhe në momentin që duhet ndërhyrja e policisë, duhet të vijë me vendim nga komisioni i votimit. Nëse do të kemi problem në shumë qendra votimi në të njëjtën kohë, praktikisht policia e ka të pamundur të ndërhyjë, pasi një polic i vetëm nuk vendos dot rendin dhe qetësinë”.

Por, ndryshe mendon eksperti i sigurisë Arian Dyrmishi, sipas të cilit ky është një mision i vështirë, por jo i pamundur për forcat e rendit: “Policia do të bëjë ç’është e mundur. Do të jetë e vështirë në kuptimin se nuk ka një skenar të vetëm në këtë situatë që policia të mundet ta përmbajë apo kontrollojë”.

Në bashkitë që kontrollohen nga PD dhe LSI, pati përplasje fizike mes policëve të shtetit dhe mbështetësve të opozitës, të cilët u mbështetën nga policët bashkiakë. Kryebashkiakët e opozitës njohin dekretin e Presidentit që anuloi 30 qershorin dhe kërkojnë lirimin e ambienteve ku u vendosën KZAZ-të.

Shkarkoni aplikacionin e A2