Basha, thirrje qytetarëve: Braktisni kutitë e votimit, 30 qershori, jo ditë zgjedhjesh

Për herë të parë Lulëzim Basha le të kuptohet se më 30 qershor do të ketë votime. Ai i bëri thirrje qytetarëve të braktisin votimet farsë dhe u distancua nga çdo akt dhune. Kreu i PD komentoi dhe vendimin e kryeministrit Edi Rama për të paditur gazetarin e “Bild” Peter Tiede.

Basha vuri në dukje që Matthias Prinz, avokati i kontaktuar nga kryeministri, është “një ndër më të shtrenjtët në Evropë, kushton 13 euro në minutë”, dhe ka si klientë “milionerë, mbretër dhe sulltanë”, por se nuk habitet që Rama i shtohet listës, sepse është “një nga më të pasurit e Ballkanit, pasi ka 21 vjet që plaçkit vendin”. Sipas tij padia do të kushtojë qindra mijëra euro, por kryeministri “ nuk ka problem as milionat”.

Basha bëri një paralelizëm historik me ditët e fundit të regjimit të Ramiz Alisë, aty ku deklaroi se “njësoj si në 1991, qytetaret ftohen të votojnë për një kandidat. Por Ramizi  anuloi zgjedhjet se e kuptoi fundin e tij dhe e pranoi atë,  pa i sjellë fatkeqësi dhe kosto vendit. Kurse Rama ka javë të tëra që bredh në Shqipëri duke provokuar, duke arritur t’ i kujtojë shkodranëve 2 prillin”.

Për këtë arsye, sipas liderit demokrat, “fati i Edi Ramës do të jetë më i keq se ai i Ramiz Alisë”.

Por Basha shtoi edhe që opozita nuk dëshiron të vijë në pushtet me dhunë, por “me forcën e mendjeve të shqiptarëve të bashkuar ndaj të keqes”, sepse sipas tij  “dhuna dhe përplasja civile i shërben vetëm Ramës, për të shpëtuar nga dënimi i tij”.  

Basha ftoi qytetarët të mos bëhen pjesë “e një farse” duke shtuar se “e di se shumë njerëz të ndershëm, që punojnë në administratën publike apo që kanë biznese të vogla, apo veprimtari të tjera që kontrollohen nga inspektorët, policët apo veglat e tjera të Edi Ramës, janë nën terror për të dalë të dielën në zgjedhje”.

Përgjigjet Rama: O njish! Je i pandehur për qindra mijëra euro ruse

“Artist, ti nuk zhgënjen kurrë, je njish! Je i pandehur për qindra mijëra euro ruse a dreqi e di ç ’janë, të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman për të luftuar lirinë e medias në Gjermani.

Se kuptove kurrë o njish që është shah politika, jo kukamçefthi as topa luftash, po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani, faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat, për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij, do dalë e plotë”, shkruan kryeministri i vendit.  

Shkarkoni aplikacionin e A2