Fondet e fushatës, Partia Socialiste arkëton 40 milionë lekë

Partia Socialiste ka arkëtuar 40.8 milionë lekët, që KQZ i ka akorduar si fond për fushatën zgjedhore. Mospjesëmarrja në zgjedhje e partive të opozitës i ka avantazhuar socialistët në përthithjen e fondeve publike, për shkak se ato ndahen në bazë të votave që subjektet kanë marrë në zgjedhjet e kaluara vendore të vitit 2015.

Kjo ndarje ka bërë që PS të përfitojë gati dy të tretat e fondit prej 65 milionë lekësh në dispozicion për 36 parti të regjistruara. Dy vjet më parë, socialistët kishin përfituar vetëm 28 milionë lekë nga fondi publik.

Sipas të dhënave të “Open Data Albania”, bazuar në pagesat e thesarit, Partia Socialiste është e vetmja deri më tani që ka bërë kërkesën dhe ka tërhequr shumën e alokuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Partitë e tjera që përfitojnë më tepër nga shpërndarja e fondeve janë Fryma e Re Demokratike, Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokracia Sociale.

Ndërkohë, pavarësisht djegies së mandateve, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për integrim kanë përfituar nga fondet që KQZ u shpërndan partive parlamentare dhe atyre që kanë marrë mbi 10 mijë vota, në formën e ndihmës financiare. Nga ky fond prej 190 milionë lekësh, PD dhe LSI përfitojnë përkatësisht 52 dhe 27 milionë lekë, ndërsa PS 86 milionë lekë. Pjesa tjetër shpërndahet mes PDIU, LIBRA dhe Partisë Socialdemokrate.

Shkarkoni aplikacionin e A2