Qendrat e votimit, “beteja” e radhës mes mazhorancës dhe opozitës – A2

Qendrat e votimit, “beteja” e radhës mes mazhorancës dhe opozitës

Pas betejave për të liruar ambientet, ku janë vendosur KZAZ-të, bashkitë e djathta betejën e radhës kanë moslejimin e përdorimit të qendrave të votimit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Me anë të shkresave të dërguara, KQZ-së, prefekturave dhe OSBE, bashkitë e djathta kanë lajmëruar revokimin e vendimeve të tyre për listat e zgjedhësve si dhe revokimin e vendimit për qendrat e votimit.

Në shkresa cilësohet se qendrat e votimit të planifikuara për zgjedhjet lokale në godina që administrohen nga këto bashki nuk do të hapen dhe nuk do të lejohet që në to të futen materiale zgjedhore, veprime këto në respekt të dekretit të Presidentit Ilir Meta që zhdekretoi 30 qershorin si datën për mbajtjen e  zgjedhjeve lokale.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i vendosur të zhvillojë procesin e votimit dhe pritet që të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit për hapjen e vendeve ku janë planifikuar ngritja e qendrave të votimit dhe vendosjen në to të materialeve zgjedhore. Mbetet për t’u parë nëse edhe ky proces do të ketë një rezistencë njerëzore nga ana e pushtetit lokal, ku drejtojnë të djathtët, siç vepruan në tentativën për të mbyllur ambientet ku janë vendosur KZAZ-të.

Shkarkoni aplikacionin e A2