Rama, ironi me Presidentin dhe opozitën: Ilir Meta i ka zënë vendin Nard Ndokës

Kryeministri Edi Rama, nga takimi elektoral në Tropojë, ironizoi Presidentin e Republikës, Ilir Metën, duke thënë se tashmë ai ka zënë vendin e Nard Ndokës.

Fillimisht, kreu i qeverisë “thumboi” Fatmir Mediun, duke thënë se “nuk e llogarit njeri fare”: “Disa na duan, disa jo. Por, më mirë që edhe ata që nuk na duan merren gjithë ditën me ne sesa mos të na kishte njeri në hesap fare. Si për shembull, imagjino të jesh Fatmir Mediu çfarë sikleti. Nuk të llogarit njeri fare. Ti del e flet, njerëzit thonë “po ky, akoma”?”

Kur njëri nga mbështetësit e Partisë Socialiste përmendi Nard Ndokën, Rama tha: “Nardi është një nivel më lart se tani vendin që kishte ia ka zënë Ilir Meta. Realisht ia ka zënë me fjalinë që tha “shantazhin ndaj gjykatësve e pashë në fotografi”. Nard Ndoka nuk e kishte kapur këtë nivel”.

Më tej, Rama theksoi se “Ilir Meta ka marrë përsipër pjesën e dhunës institucionale, ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër të gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjet, Parlamentin, gjykatave, SHBA-së dhe Evropës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2