Reja rrëfen Shqipërinë, shanset drejt Euro 2020 dhe gabimi i Panuccit – A2

Reja rrëfen Shqipërinë, shanset drejt Euro 2020 dhe gabimi i Panuccit

Një humbje dhe një fitore në stolin e Shqipërisë. Por, mbi të gjitha, entuziazmi i rikthyer në kampin kuqezi. Kombëtarja ka dhënë sinjale pozitive dhe po vijon të rimëkëmbet pas dy viteve katastrofike me Christian Panucci.

Shanset drejt Euro 2020 janë thuajse minimale, megjithatë Edy Reja nuk dorëzohet. Edhe pse 73-vjeçar, trajneri ka treguar se ka ende entuziazëm për të transmetuar, ndërsa rrëfen Shqipërinë që ka gjetur.

“Kualifikimi në Evropian do të jetë I vështirë, të gjitha shanset i luajmë në Turqi. Firmosa për 6 ndeshje dhe pas eliminatoreve do të ulemi të diskutojmë, nëse janë kushtet për të vazhduar bashkëpunimin. De Biasi cilësohet hero pas suksesit në Euro 2016. Situatën e Panucci nuk e njoh, por besoj se pati një qasje të gabuar me ambientin. Krenaria kombëtare e shqiptarëve bashkohet me pasionin për futbollin, ky entuziazëm i jashtëzakonshëm, më kujton Napolin. Shqipja është një gjuhë e vështirë dhe nuk kuptoj thuajse asgjë. Për fatin tim, futbollistët flasin italisht dhe kam në krah Bulkun e Salihin, dy ish-lojtarë të Kombëtares, që janë engjëjt e mi mbrojtës”, u shpreh trajneri Reja.

Ndër të tjera, Reja analizoi vështirësitë e punës në krye të stolit kuqezi, ku i duhet të ndërthurë kulturën dhe idetë e një skuadre, ku thuajse të gjithë lojtarët luajnë jashtë vendit. Trajneri shfaqi besim edhe te portieri Etrit Berisha, që pas një sezoni si rezervë tek Atalanta, pritet të largohet te Spal, duke konfirmuar se për shkak të dëmtimit, Thomas Strakosha do të qëndrojë për një kohë të gjatë larg fushave.

Shkarkoni aplikacionin e A2